Këtë javë pritet të hapet konkursi për tri pozitat kryesore në KRU 'Prishtina'

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” gjatë kësaj jave pritet të hap tre konkurse për tri pozita kryesore.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Drejtori i Bordit të KRU “Prishtina”, Mentor Hyseni.

Sipas Hysenit tri pozitat që pritet të hapen konkurset janë për kryeshefin ekzekutiv, kryeshefin financiar dhe auditorin e brendshëm të KRU “Prishtina”.

“Besoj që gjatë javës do të shpallen konkursin edhe për pozitën e auditorit të brendshëm edhe për kryeshefin ekzekutiv edhe për kryeshefin financiar”, tha Hyseni.

Tutje Hyseni dha arsyetimin edhe për anulimin e konkursit të kaluar për kryeshef ekzekutiv të KRU “Prishtina.

Bordi i përkohshëm i drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” e ka anuluar konkursin për pozitat, Kryeshef Ekzekutiv dhe Zyrtar Kryesor Financiar.

Konkursi për këto dy pozita ishte shpallur më 18 prill dhe ka qenë e planifikuar të jetë i hapur deri më 18 maj, por është anuluar tri ditë pa përfunduar afati i paraparë për aplikim.

Bordi i përkohshëm i KRU “Prishtina” kishte shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv dhe zyrtar kryesor financiar më 17 prill disa ditë pasi ishte emëruar nga Qeveria Kurti.

Bordi i përkohshëm i kryesuar nga Mentor Hyseni ka shkarkuar Kapllan Parduzin nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv dhe Sokol Durakun nga pozita e zyrtarit kryesor financiar të kësaj kompanie.

Pas shkarkimit të Parduzit dhe Durakut, bordi ka emëruar Sokol Xhafën si ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv dhe Remzi Llumnicën si ushtrues detyre të zyrtarit kryesor financiar.

Disa ditë pas shkarkimit të zyrtarëve kryesorë të KRU “Prishtina”, bordi i përkohshëm ka shpallur konkurs për të plotësuar këto dy pozita.

Bordi i Ujësjellësit “Prishtina” anulon konkursin për kryeshef ekzekutiv dhe zyrtar kryesor financiar

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar se Komiteti i Auditimit të KRU “Prishtina” ka shkarkuar nga detyra edhe Gjelosh Gojanin, auditor i brendshëm i kompanisë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Drejtori i Bordit të KRU “Prishtina”, Mentor Hyseni.

“Po është e vërtetë, sot Komiteti i Auditimit të Brendshëm të “Ujësjellësit” Prishtina në 10 ka pasur një takim të brendshëm, dhe më kanë njoftuar se e kanë shkarkuar zyrtarin e auditorit të brendshëm”, tha Hyseni.

Tutje ai shtoi edhe arsyet që janë konstatuar nga ana e komitetit për shkarkim të Gojanit.

“Arsyeja është se nuk i ka audituar fushat me rrezikshmëri të lartë ashtu siç më ka njoftuar edhe komiteti. Unë si dejtor i bordit, i vetmi organ që ka autoritet mbi ta është komiteti i auditimit”, ka thënë Hyseni tutje.

Shkarkohet auditori i brendshëm i KRU ‘Prishtina’, drejtori i bordit jep detaje