Logo e NP KRU" Prishtina"

Bordi i Ujësjellësit "Prishtina" anulon konkursin për kryeshef ekzekutiv dhe zyrtar kryesor financiar

Bordi i përkohshëm i drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” e ka anuluar konkursin për pozitat, Kryeshef Ekzekutiv dhe Zyrtar Kryesor Financiar.

Konkursi për këto dy pozita ishte shpallur më 18 prill dhe ka qenë e planifikuar të jetë i hapur deri më 18 maj, por është anuluar tri ditë pa përfunduar afati i paraparë për aplikim.

“Konkursi u anulua me arsyetimin e lëshimit të disa gabimeve teknike të cilat mund të ngushtojnë konkurrencën, duke përjashtuar personat që nuk kanë përvojë në sektorin publik”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

Bordi i përkohshëm i KRU “Prishtina” kishte shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv dhe zyrtar kryesor financiar disa ditë pasi ishte emëruar nga Qeveria Kurti.

Bordi i përkohshëm i kryesuar nga Mentor Hyseni ka shkarkuar Kapllan Parduzin nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv dhe Sokol Durakun nga pozita e zyrtarit kryesor financiar të kësaj kompanie.

Pas shkarkimit të Parduzit dhe Durakut, bordi ka emëruar Sokol Xhafën si ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv dhe Remzi Llumnicën si ushtrues detyre të zyrtarit kryesor financiar.

Disa ditë pas shkarkimit të zyrtarëve kryesorë të KRU “Prishtina”, bordi i përkohshëm ka shpallur konkurs për të plotësuar këto dy pozita.

KALLXO.com kishte raportuar për shkalljen e konkursit për Kryeshef Ekzekutiv dhe Zyrtar të Lartë Financiare.