Kërkohet që t'i ngritet aktakuzë djalit të Biden për blerje të armës

Prokurorët federalë do ta kërkojnë një aktakuzë kundër djalit të presidentit Biden, Hunter, deri në fund të këtij muaji për blerje të paligjshme të një arme si përdorues droge.

Në dokumentet e gjykatës të paraqitura dje, David Weiss, këshilltari i posaçëm, tha se do t’i kërkojë një jurie të madhe që ta padisë djalin e presidentit deri më 29 shtator. Hunter Biden, 53 vjeç, pritet të akuzohet për dy akuza penale për blerjen e një arme në vitin 2018, në një kohë kur ai ka pranuar se ka përdorur rregullisht kokainë të llojit crack.

Kthesa e fundit në këtë sagë të gjatë krijon një kokëdhimbje të re për presidentin në një kohë kur ai po e rrit fushatën e tij të rizgjedhjes si president në vitin 2024. Akuzat për kriminalitet dhe detajet e ndyra personale rreth djalit të tij e kanë penguar presidencën e Biden, pasi republikanët kanë kërkuar ta ndërlidhin presidentin me marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij jashtë shtetit.

Hunter Biden është gjithashtu nën hetime për çështjet e tij tatimore, me prokurorët që njoftuan muajin e kaluar se synojnë të ngrenë akuza kundër tij. Djali i presidentit arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorët për t’i zgjidhur akuzat për taksat dhe armët pa u shfaqur fare në gjyq, duke u deklaruar fajtor për dy krime kundërvajtëse dhe duke paguar më shumë se 100,000 dollarë taksa të papaguara. Marrëveshja u shpërbë në mënyrë dramatike në një seancë gjyqësore në korrik, megjithatë, kur një gjyqtar ngriti pyetje në lidhje me kushtet e marrëveshjes.

Avokatët mbrojtës kanë argumentuar se marrëveshja duhet të mbetet në fuqi, me mirëkuptimin se djali i presidentit do të kursehej nga ndjekja penale për akuzën e armës nëse do të qëndronte i pastër nga droga dhe nëse do të shmangte probleme të mëtejshme ligjore për dy vite.

Presidenti dhe djali i tij gjithashtu përballen me hetime të shumta për marrëdhëniet e tyre të biznesit me jashtë. Hetimet kanë zbuluar prova se Hunter Biden ka bërë tregti me emrin e familjes së tij për të bërë marrëveshje fitimprurëse, por ende nuk është vërtetuar se vetë Presidenti Biden ka përfituar nga këto marrëveshje.

Republikanët po bëjnë gjithashtu presion për t’i nisur procedurat e shkarkimit të presidentit, një lëvizje që Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë si “të pabazë”.

Weiss – të cilit iu dha roli i avokatit amerikan për shtetin e Delaëare nga Donald Trump – u emërua këshilltar special nga Merrick Garland, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, për ta mbikëqyrur hetimin./The Times