
Kërkohet ekzaminim i detajuar psikik për Qëndrim Janzuajn, i akuzuar për vrasje të rëndë
Gjykimi ndaj Qëndrim Januzit, i akuzuar për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj, vazhdoi me rrëfimet për gjendjen e tij para vrasjes, të treguara nga mjeku Fahri Drevinja.
Drevinja u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit, për raportin që e kishte bërë lidhur me gjendjen emocionale të të panehurit Januzi më 17 prill të vitit të kaluar.
“Djaloshi ka qenë me ngarkesë emocionale, nëna e tij më ka thënë të dhëna.”- tha ai.
“Ky është një raport për gjendjen e tij sa ka qenë në një vizitë e shkurtë 20-30 minuta ku janë pasqyruar të dhëna nga nëna e tij” – shtoi ai, derisa prezentoi të dhëna për gjendjen e të akuzuarit.
Për ta konstatuar në mënyrë të saktë se gjendjen e tij emocionale, dëshmitari tha se i pandehuri duhet t’i nënshtrohet një ekspertimi të detajuar psikiatrik me ekip prej punëtori social dhe psikologë.
Pas dëshmisë së mjekut, avokati Florin Vërtopi i cili mbron të pandehurin Qëndrim Januzin kërkoi zbatimin e ekzaminimit më të detajuar në këtë drejtim për të dalë në përfundim se në çfarë gjendje ka qenë i pandehuri kohën e kryerjes së vrasjes.
“Ankthi e bjen personin shumë më lehtë se të cilindo person të shëndoshë te afekti, e afekti e bjen personin te tronditja e fortë mendore, e në këtë mënyrë vrasja ka qenë në gjendje të tronditjes së fortë mendore” – u shpreh Vërtopi para gjykatës.
Propozimi për këtë ekzaminim u kundërshtua nga prokurori dhe përfaqësuesi i familjes së të ndjerit avokati Bekim Sylejmani.
Lidhur me këtë, gjykata tha se nuk mund të vendosë menjëherë.
Në këtë rast ishte dëgjuar edhe prindi i viktimës, Vehbi Hyseni i cili kishte thënë se vrasja e djalit të tij ishte bërë në mënyrë tinëzare dhe nuk kishte pasur dijeni se djali i tij dhe i akuzuari kishin pasur mos-marrëveshje.
Përveç prindit të viktimës, ishte dëgjuar edhe vëllai i të akuzuarit, Betim Januzi i njohur për publikun si “Buta” i cili para gjykatës kishte rrëfyer se makina e djegur nuk kishte qenë motiv i vrasjes, por sipas tij tani i ndjeri Hyseni e kishte kërcënuar atë dhe vëllain e tij edhe me vdekje.
Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet se më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, para hyrjes së marketit “E… M…”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje e ka privuar nga jeta Gazmend Hysenin, duke shtënë 6 herë në drejtim të tij me armë zjarri.
Kujtojmë se i akuzuari nuk e kishte mohuar vrasjen, por nuk ishte pajtuar me cilësimin juridik që i kishte bërë Prokuroria.
Rasti gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Habib Zeqiri kryetar, dhe anëtarë Ilir Bytyci dhe Fitore Daci anëtarë.
Kurse aktakuza përfaqësohet nga prokurori Ismet Rrahmani.
Seanca ku ishin shfaqur pamjet e vrasjes kishte qenë e mbyllur për pubikun.
I akuzuari Qëndrim Januzi ndodhet në paraburgim që nga ndodhja e ngjarjes, me kërkesë të Prokurorisë.Seanca për caktimin e paraburgimit ishte mbajtur në spitalin ku po qëndronte i dyshuari, për shkak se në natën kritike ishte goditur me plumb nga njëri nga policët, pas mosbindjes së urdhrave të tyre.
Plagosja e tij kishte ndodhur kur një njësi e Policisë po kalonte në afërsi të vendit të ngjarjes meqë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, me ç’rast policët intervenuan në rastin në fjalë dhe pas mosbindjes e plagosën të dyshuarin Januzi.
Ndaj zyrtarit policor që ka kryer plagosjen e të dyshuarit Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur hetimet.
Ai ngarkohet me veprën penale – vrasje e rëndë, dhe – armëmbajtje pa leje.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.