Gjykimi ndaj Qëndrim Januzit po vazhdon në Gjykatën e Ferizajit

Në Gjykatën Themelore të Ferizaj po vazhdon gjykimi ndaj Qëndrim Januzit, i akuzuar për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj në maj të vitit të kaluar.

Ai ngarkohet me veprën penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Në këtë seancë pritet të dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga avokati i Januzit, Florin Vërtopi.

Në këtë rast, më parë ishte dëgjuar edhe prindi i viktimës, Vehbi Hyseni i cili kishte thënë se vrasja e djalit të tij ishte bërë në mënyrë tinëzare dhe nuk kishte pasur dijeni se djali i tij dhe i akuzuari kishin pasur mosmarrëveshje.

Përveç prindit të viktimës, ishte dëgjuar edhe vëllai i të akuzuarit, Betim Januzi i njohur për publikun si “Buta” i cili para gjykatës kishte rrëfyer se makina e djegur nuk kishte qenë motiv i vrasjes, por sipas tij tani i ndjeri Hyseni e kishte kërcënuar atë dhe vëllain e tij edhe me vdekje.

Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet se më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, para hyrjes së marketit “E… M…”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje e ka privuar nga jeta Gazmend Hysenin, duke shtënë 6 herë në drejtim të tij me armë zjarri.

Kujtojmë se i akuzuari nuk e kishte mohuar vrasjen, por nuk ishte pajtuar me cilësimin juridik që i kishte bërë Prokuroria.

Rasti gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Habib Zeqiri kryetar, dhe anëtarë Ilir Bytyci dhe Fitore Daci anëtarë.

Kurse, seanca ku ishin shfaqur pamjet e vrasjes kishte qenë e mbyllur për publikun.

I akuzuari Qëndrim Januzi ndodhet në paraburgim që nga ndodhja e ngjarjes, me kërkesë të Prokurorisë.

Seanca për caktimin e paraburgimit ishte mbajtur në spitalin ku po qëndronte i dyshuari, për shkak se në natën kritike ishte goditur me plumb nga njëri nga policët, pas mosbindjes së urdhrave të tyre.

Plagosja e tij kishte ndodhur kur një njësi e Policisë po kalonte në afërsi të vendit të ngjarjes meqë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, me ç’rast policët intervenuan në rastin në fjalë dhe pas mosbindjes e plagosën të dyshuarin Januzi.

Ndaj zyrtarit policor që ka kryer plagosjen e të dyshuarit Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur hetimet.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.