Foto-ilustrim

Kërkohet caktim i masës së paraburgimit për katër të dyshuarit për ryshfet lidhur me tenderët në MPB

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për katër personat e dyshuar për tenderë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.A.S., B.B., N.S., G.H dje ishin ndaluar me urdhër të prokurorisë së Prishtinës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për dhënie të ryshfetit.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër personave, për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, sipas KPRK-se.”- tha për kallxo.com Ulaj

Momentalisht në Gjykatën e Prishtinës është duke u mbajtur seanca dëgjimore lidhur për të lartëpërmendurit.

Policia e Kosovës dje kishte njoftuar se katër persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për dhënie të ryshfetit.

Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori i Hetimeve të Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë kanë zhvilluar të hënën një operacion policor, ku janë kontrolluar disa lokacione e janë ftuar për intervestim disa të dyshuar.

Për të dyshuarit A.S., B.B. dhe N.Sh. është thënë se ekziston dyshimi se në cilësi të personave zyrtarë gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të disa projekteve në Ministri të Punëve të Brendshme të Kosovës kanë marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerje të projekteve.

Kurse të dyshuarit N.S. dhe G.H. në cilësi të përfaqësuesve të operatorit ekonomik dyshohen për dhënie të ryshfetit me qëllim të “krijimit të përparësive të paligjshme gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e një objekti të një agjencie dhe projekteve tjera të zhvilluara në MPB” dhe të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”.

“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit janë sekuestruar dëshmi dhe pajisje në cilësi të provës materiale. Pas intervistimit të dyshuarit A.S., B.B., N.S., G.H. me vendim të Prokurorit të Shtetit nga PTH-Prishtinë ndalohen për 48 orë, ndërsa e dyshuara N.Sh. lirohet në procedurë të rregullt”- bëhet e ditur në njoftim.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet dhe masa ligjore do të ndërmerren ndaj të gjithë personave të përfshirë në vepra të kundërligjshme, pavarësisht rolit dhe funksionit që kryejnë.