Kërkohet angazhim më i madh i institucioneve për eliminimin e dhunës në baza gjinore

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca, ka kërkuar angazhim të institucioneve përkatëse për eliminimin e dhunës në baza gjinore.

Grainca tha se fushata 16 ditëshe në përkrahje të grave e vajzave ishte e rëndësishme për ngritjen e vetëdijes qytetare në bazë gjinore si dhe në promovimin e kauzës për eliminimin e dhunës ndaj grave.

“Janë shqetësuese të dhënat se brenda periudhës janar – shtator të këtij viti janë raportuar 1 mijë e 819 raste të dhunës në familje, ku 1 mijë e 437 prej tyre janë dhunë ndaj grave. Shifër kjo që e thekson seriozitetin e çështjes në fjalë”, tha ajo.

Grainca shtoi se përfshirja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën tonë është hap i duhur sepse sipas saj zhvillimi i shëndosh i shoqërisë kosovare nuk mund të bëhet pa të drejtë të plotë dhe trajtim të drejtë të gruas.

Sipas saj institucionet shtetërore duhet të reflektojnë dhe sigurojnë që të drejtat e grave dhe vajzave do të trajtohen në përputhje me frymën e Kushtetutës tonë.