Eliza Hoxha, kërkon nga deputetja Grainca ta kthej mandatin “e vjedhur”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Eliza Hoxha, ka kërkuar nga deputetja Adelina Grainca që ta kthej mandatin, pasi kjo e fundit kaloi nga radhët e PDK-së në kampin politik të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sot dua të flas me Adelinën dhe për Adelinën, për gratë e përfaqësimin e tyre. A është e drejtë e një deputeti nga një subjekt të shkoj në tjetrin, nuk dua të ndalem. Por mënyra se si kjo bëhet, pse bëhet, e kur bëhet, ka një rëndësi të veçantë”, tha Hoxha.

Hoxha tha se PDK-ja nuk e ka ofenduar Graincën.

“Nuk kujtoj që dikush nga PDK e ka ofenduar këto ditë zonjën Grainca. Kujtoj që ju keni kërkuar të keni më shumë hapësirë. Hapsirën e keni pas këtu, nuk e keni shfrytëzuar vet, e arsyet i dini ju. Ne kërkojmë kthimin e mandatit të vjedhur. PDK nuk njihet që ka linçu njerëz në historinë e saj, as nuk ka shkru mbishkrime për askënd nëpër mure. Këtë e ka bërë partia në pushtet që ka qenë gjatë në opozitë dhe e ka të lehtë shumë ta identifikoj kush i ka bërë ato mbishkrime”, tha Hoxha.

Ajo ka përmendur linqimet ndaj Valdete Dakës, Aida Dërgutit, Edita Tahirit e Ganimete Musliut. Hoxha ka përmendur edhe “dhunën ndaj ambasadorës amerikane”.