Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Adelina Grainca sqarohet për largimin nga PDK, thotë se u largua pasi s'pati përkrahje

Ish – deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e cila gjatë ditës së djeshme i është bashkangjitur Lëvizjen Vetëvendosje, Adelina Grainca ka zbuluar arsyet e largimit të saj nga ish partia nga e cila kishte marrë votat në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit.

Sipas Graincës largimi i saj nga PDK ka qenë për shkaqe politike pasi që siç ka thënë në një reagim, ajo nuk ka pasur përkrahje.

“E gjithë kjo për shkak të moshës si dhe mungesës së përvojës në sferën e politikës. E përveç kësaj, edhe për shkak që nuk kam qenë pjesë e taborëve politike të mirë-vendosura. Që nga fillimi më kanë neglizhuar si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror duke mos më ofruar mundësi për zhvillim si një politikane e re dhe si person që përfaqëson rininë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Tutje Grainca ka thënë se për zhvillimet e fundit të zgjedhjes së presidentit ka pasur kërkesa nga elektorati që e ka votuar që të marr pjesë në seancën parlamentare për zgjedhje të Presidentit.

“Mesazhi i tyre (votuesve të saj) i qartë ka qenë që të marr pjesë sepse nuk duan të ketë zgjedhje sërish. Mbajtja e zgjedhjeve do të nënkuptonte zgjatje e jetës së pandemisë, përgjigje jo adekuate ndaj rënies ekonomike, dhe si rezultat izolim të Kosovës, jo vetëm për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave por edhe për shkak të pandemisë”, shton tutje ajo në një reagim.

Pas këtyre mesazheve Grainca thotë se kishte vendosur që t’i dëgjonte votuesit e saj dhe mori pjesë në seancën për zgjedhjen e Presidentit.

Vendimin për largimin nga PDK e ka quajtur reflektim personal për të kontribuar si parlamentare në institucione stabile dhe funksionale.

“Kjo kohë më ka ndihmuar të reflektoj dhe shoh Lëvizjen Vetëvendosje, me moshën mesatare më të re dhe pjesëmarrjen më të madhe të grave, mundësi më të mirë të zhvilloj dhe avancoj qëllimet për një shtet dhe shoqëri të prosperuar”, tregon tutje ajo.

Madje Grainca iu përgjigj akuzave se bashkimi i saj në LVV ishte për përfitime financiare.

“Janë thjeshtë shpifje dhe mundësi për të mos kërkuar përgjigje të vërtetë. Përfitimi financiar asnjëherë nuk kanë qenë qëllim as për angazhimin tim në politikë e as për kalimin në Vetëvendosje. Ky sqarim është për publikun e gjerë, pasi që ata që më kanë votuar e dinë mirë gjendjen time financiare dhe kontributin bamirës në shoqëri”, vazhdon ajo.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi në lidhje me ndërrimin e partisë së Graincës nga PDK në LVV, deri sa brenda seancës në rundin e dytë po votohej për presidentin e Kosovës.

Kurti prezanton deputeten që ia mori PDK-së