Kisha Ortodokse/ FOTO- Urim Krasniqi

Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit e shtyu seancën në kontestin mes Universitetit të Prishtinës dhe Kishës Ortodokse

Seanca e paraparë që të mbahej dje në kontestin gjyqësor mes Universitetit të Prishtinës dhe Kishës Ortodokse është shtyer.

Këtë për KALLXO.com ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ajo për KALLXO.com ka thënë se në seancën e djeshme palët i kanë dhënë pretendimet e tyre rreth objektit të kontestit, ndërsa përfaqësuesi i paditësit ka kërkuar pezullimin e procedurës.

“Pasi që sipas vlerësimit të gjyqtarit të çështjes nuk kishte asnjë arsye për të pezulluar procedurën, gjykata e ka refuzuar propozimin e palës paditëse.  I autorizuari i të paditurës – Komunës së Prishtinës e ka kundërshtuar padinë me arsyetimin se e paditura nuk kishte legjitimitet pasiv në këtë çështje kontestimore”, tha Gashi.

Po ashtu në këtë seancë, përfaqësuesi i paditësit ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Jovica Mitroviq me arsyetimin se i njëjti kishte refuzuar propozimin për të pezulluar procedurën.

Gjykata ka vendosur me aktvendim, që shqyrtimi gjyqësor të shtyhet përkohësisht derisa të zhvillohet procedura sipas kundërshtimeve eventuale të palëve.

Kisha e pa funksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në vitet 1990-ta, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës.

Ky rast fillimisht është paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës në vitin 2012 nga Universiteti i Prishtinës nën pretendimin se Kisha Ortodokse Serbe kishte uzurpuar pronën e Universitetit.

Më tej, tek në vitin 2015, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte nxjerrë vendim me të cilin ishte konsideruar e tërhequr padia e parashtruar nga Universiteti me arsyetimin se nuk ishin paraqitur si paditës në seancën kryesore të ftuar nga Gjykata.

Të pakënaqur ndaj këtij vendimi me arsyetimin se nuk e kishin pranuar ftesën e Gjykatës sepse ditën kur ka arritur ftesa ka pasur protesta para Rektoratit, Universiteti ushtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila po ashtu në tetor të vitit 2017 e refuzoi ankesën dhe vërtetoi vendimin e Themelores.

Kështu, Universiteti i Prishtinës në nëntor të vitit 2017, dorëzoi përsëri në Gjykatën Themelore të Prishtinës padinë e re lidhur me çështjen e njëjtë juridike –  ngastrën kadastrale nr.07090-14 në sipërfaqe të përgjithshme mbi 4 hektarëshe.

Universiteti i Prishtinës pretendon se këtë pronë e ka pasur në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar nga dhjetori i vitit 1975 dhe se e njëjta ka qenë pjesë e kampusit të universitetit.