Kërkesa e Escobarit për shtyerjen e afatit për regjistrim të automjeteve, deklarohet Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se e kanë për obligim respektimin e vendimeve të saj dhe sundimin e ligjit, për regjistrimin e tabelave të automjeteve nga ato ilegale KM, PZ,GL, PR, UR, në ato të Republikës së Kosovës (RKS), ndonëse  i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kërkoi që të shtyhet afati.

Escobar pas takimit të djeshëm me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti ka thënë kishte kërkuar shtyrje për 10 muaj të këtij vendimi, mirëpo zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për KALLXO.com ka thënë se e kanë për obligim respektimin e ligjit dhe vendimet qeveritare.

“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu edhe një herë i ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili dje në takim i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti shtyrjen për 10 muaj të vendimit.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-ve, por e gjithë QUINTIT. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, ka thënë dje Escobar në një intervistë në Kanal 10.

Për kërkesën e tij, Escobar nuk ka marrë zotim as nga shefja e shtetit e as nga kreu i ekzekutivit.

“Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga Quinti që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë.”, ka theksuar ai.

Deri më tani, kur kanë mbetur edhe 10 ditë në mbyllje të afatit për regjistrim sipas ministrisë së Punëve të Brendshme janë regjistruar vetëm 13 automjete.

Vendimi për regjistrimin e automjeteve është marrë në mbledhjen e 19 qershorit të kabinetit qeveritarë, ndërsa afati është hapur më 1 tetor dhe do të vazhdojë deri më 31 tetor.