KEK-u nis procedurat për rindërtimin e termocentralit “Kosova A”

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve (BPD) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka marrë disa vendime, në mesin e tyre edhe për përgatitjen e dokumenti teknik lidhur me Termocentralin “Kosova A” dhe përgatitjen e letrës për shprehjen e interesit për rindërtimin e saj.

Në mbledhjen e BPD-së, është marrë vendim edhe për vazhdimin e procedurës për vlerësimin e rrezikshmërisë se vendeve te punës, fillimin e procedurës për zhvillimin e infrastrukturës për projektin e parkut solar dhe energjisë se ripërtritshme, vazhdimin e zgjerimit të zonave të gjelbërimit rreth zonës së ‘KEK’-sha, në interes të komunitetit dhe ambientit, identifikimin e nevojave për staf deficitar dhe të domosdoshëm, dhe vazhdimin e procedurave të regrutimit konform ligjit, vazhdimin e procedurave të përkrahjes së kuadrove të reja dhe deficitare përmes bursave dhe intership për student, funksionalizimin e punës së mensës në TCB, dhe renovimin e funksionalizimin e mensave të tjera si dhe ngritja e kualitetit dhe cilësisë se ushqimit, vazhdimin e auditimit të kontratave të mesme dhe të mëdha nga ana e auditorit të brendshëm nga periudha e inicimit të kërkesave deri në implementimin e tyre, inicimin e procedurave disiplinore nga ana e menaxhmentit, në pajtim me procedurën, për të gjitha shkeljet e evidentuara.

Gjithashtu drejtoria e njësisë qendrore për planifikim strategjik i KEK-sha është vendosur të riemërohet dhe quhet Drejtoria për Zhvillim Strategjik dhe Energji të Ripërtritshme, dhe në kuadër të saj të merret me studimin dhe zhvillimin e energjisë solare dhe nga burime tjera të ripërtritshme.

Bordi, ka vendosur edhe për vazhdimin e procedurave të identifikimit të pronave të KEK-sha, dhe vazhdimin e punës së Task Forcës për këtë qëllim dhe raportimi periodik nga ana e tyre, thuhet në komunikatën për media dhënë nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete në KEK.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.