Arsyet që çuan në shkarkimin e Bordit të KEK-ut nga Qeveria Kurti

Shpenzimet e paplanifikuara, bonuset në kundërshtim me vendimin e ministrit, shkeljet në punësim,  keqmenanxhimi i pronës dhe shkelje të tjera janë arsyet që qeveria Kurti ka përmendur në vendimin për shkarkimin e bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Sipas Qeverisë, tash ish-Bordi i drejtorëve ka shkelur detyrat fiduciare duke lejuar shpenzime të panevojshme që haptazi dëmtojnë ndërmarrjen.

Bordi i shkarkuar i KEK-ut përbëhej nga Faruk Hajrizi, Gjelosh Vataj, Mehdi Pllashniku, Izet Ibrahimi, Fllanza Beqiri-Hoxha dhe Ilir Rama.

Vendimi i Qeverisë Kurti për shkarkimin e Bordit të KEK-ut ka ardhur me propozim të ministres në detyrë të Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Shpenzimet të paplanifikuara dhe të pamatura

Një ndër arsyet që është numëruar nga Qeveria për shkarkim janë shpenzimet e “paplanifikuara dhe të pamatura të Bordit të KEK-ut”.

Si shpenzim i paplanifikuar është përmendur kontrata me titull “Skanimi, arkivimi dhe inkorporomi i proceseve digjitale në burime njerëzore dhe pronë” e cila është nënshkruar më 11 dhjetor 2019.

Sipas Qeverisë, kjo kontratë nuk ka qenë e paraparë në planin e biznesit. Bordi ka miratuar prokurimin në vlerë prej rreth 800 mijë eurosh, sipas një kërkese të zyrtarëve që thirren në rekomandime të auditorëve (të brendshëm dhe të jashtëm). Por në këtë propozim theksohej se auditorët nuk kanë rekomanduar digjitalizimin e dokumenteve, ata thjesht kanë rekomanduar përditësimin e regjistrit të pronave dhe plotësimin e dosjeve të punëtorëve me dokumentet që mungojnë.

“Bordi ka mundur të kërkojë shpjegime shtesë prej auditorëve, por nuk e ka bërë këtë. Thënë shkurt, bordi ka shtrembëruar rekomandimet e auditorëve për të mundësuar një kontratë dukshëm të pavolitshme”, thuhet në arsyetimin për shkarkimin e Bordit të KEK-ut.

Me këtë kontratë KEK-u i ka paguar konsorciumit 18 centë pa TVSH (21 centë me TVSH) për një faqe të skanuar.

“Kontrata tejkalon edhe vlerën e miratuar nga Bordi. Qeveria nuk ka dëshmi se bordi u ka kërkuar llogari zyrtarëve për këtë tejkalim”, thuhet në arsyetim.

Përfitues i kontratës ka qenë një konsorcium i dy kompanive private “Art House” dhe “Doc-man”. Vlera e kontratës është mbi 1 milion euro (792.600,56 bazë dhe 230.158,03 euro për shërbime opisonale), kurse kohëzgjatja 6 muaj. Konsorciumi i kontraktuar parashihet të shfrytëzojë 2-3 skanerë për të digjitalizuar dokumente të vjetra të KEK-ut.

Bonuset në kundërshtim me vendimin e ministrit

Si arsye e dytë për shkarkimin e Bordit të KEK-ut është përmendur edhe mos respektimi i ish-ministrit Valdrin Lluka duke miratuar bonuse për veten e tyre.

“Më 18 dhjetor 2017, Ministri përgjegjës ka nxjerrë vendim për “pezullimin e vendimeve për kompensimin për stimulimin e efektshmërisë së anëtarëve të Bordeve të Drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike Qendrore”. Vendimin e ka përcjellë bashkë me një vërejtje për uljen e shpenzimeve të drejtorëve. Vendimi dhe vërejtja u janë dorëzuar të gjitha ndërmarrjeve publike qendrore”, vazhdon arsyetimi për shkarkim.

Sipas vendimit të Qeverisë, Bordi i KEK-ut ka shpërfillur vendimin e Ministrit.

Më 15 mars 2019, thuhet se drejtorët kanë miratuar deklaratën e politikës së kompensimit të zyrtarëve për vitin 2018 dhe se këtë e kanë pasuar më 31 maj 2019 me aktin tjetër për miratimin e performancës për 2018.

Me këto dy vendime, drejtorët i kanë dhënë bonus vetes në kundërshtim me vendimin e Ministrit.

“Për më tepër, kriteret për vlerësim të punës i kanë vetëpërcaktuar – duke cenuar çdo pandehje korrektësie – pasi kanë kryer punën. Në këto rrethana, bordi qartazi ka vepruar në kundërshtim me interesin e ndërmarrjes”, theksohet në vendim.

Shkeljet në punësim – Parregullsi, nepotizëm, diskriminim

Arsyeja e tretë e përmendur për shkarkimin e Bordit të KEK-ut është lejimi, shkaktimi dhe shpërfillja e shkeljeve në punësim.  Sipas vendimit të Qeverisë për shkarkim, listat e të punësuarve në ndërmarrje tregojnë për parregullsi dhe nepotizëm në procedura të rekrutimit. Madje aty thuhet që anëtarët e Bordit kanë arritur të punësojnë të afërmit e tyre në pozita të rëndësishme në menaxhmentin e KEK-ut.

“Për të mundësuar punësime të reja, ndërmarrja ka dyfishuar pozitat dhe njësitë administrative pa arsye e pa ecuri të ligjshme. Janë emëruar pa konkurs zyrtarë në pozitat drejtor i prokurimit, drejtor i zyrës ligjore, menaxher i zyrës ligjore, drejtor operativ, drejtor i qymyrit, udhëheqës i mirëmbajtjes mekanike në prodhimin e qymyrit, pozita menaxheriale në auditim, pozita në zyrën e tarifave dhe rregullativës si dhe pozita të tjera”, theksohet në vendim.

Si arsye për shkarkim janë renditur edhe emërimet e gradimet e kundërligjshme. Si shembull i kësaj është përmendur emërimi i zyrtarit të auditimit të brendshëm pa qenë fare kontabilist i certifikuar, siç kërkohet me ligj.

Arsyeja tjetër me radhë sa i përket shkeljeve në punësim është përmendur edhe që KEK-u ka punësuar kundërligjshëm persona mbi moshën 65 vjeçare të pensionimit dhe i ka mbajtur në punë për vite të tëra.

“Rrjedhimisht ka shkaktuar dëm që kalon vlerën 270 mijë euro. Bordi nuk ka ndërmarrë veprime komfor ligjit për të trajtuar këtë çështje”, vazhdon vendimi.

Është theksuar se edhe struktura e pagave është përpiluar sipas personave, jo pozitave.

“Ka punonjës që paguhen dyfish sa eprori”, thuhet në vendim.

Një ndër pikat e tjera të përmendura në vendim është edhe që ndërmarrja nuk u ka paguar punonjësve të vet pagat jubilare që u takojnë, duke shkaktuar konteste të kushtueshme në gjykata. Është theksuar fakti që në prag të zgjedhjeve, ndërmarrja u ka dhënë pagë jubilare punonjësve që nuk kanë pasur këtë të drejtë, dhe kështu ka shkaktuar padi për diskriminim dhe shpenzime shtesë të procedurave gjyqësore.

Keqmenaxhimi i pronës dhe shkelje të tjera

Arsyeja e katër me radhë që ka çuar në shkarkimin e bordit të KEK-ut nga Qeveria Kurti është keqmenaxhimi i pronës duke lejuar shpronësim.

Sipas vendimit të Qeverisë, kostoja e shpronësimit të 170 hektarëve pritet t’i kushtojë KEK-ut mbi 50 milionë euro. Më tej aty thuhet që ndërmarrja shpronëson ngastra pasi ato të jenë mbushur me ndërtesa spekulative, që s’kanë qëllim tjetër por të përfitojnë nga kompensimi për shpronësim.

“Kostoja e shpronësimit në dy projekte të fundit, për sipërfaqe prej rreth 170 hektarësh, pritet të tejkalojë shumën 50 milionë euro”, thuhet në vendim.

Te arsyetimi për shkarkimin e Bordit është përmendur edhe fakti që KEK-u përballet me rreth 20 milionë euro kërkesa ligjore, si pasojë e keqmenaxhimit.

“Një pjesë e këtyre kërkesave rrezikojnë arbitrazhin, që mund të përcillet me kosto dhe ndëshkime shtesë. Në një tjetër rast, ndërmarrja nuk ka filluar me kohë dhe nuk ka vazhduar arbitrazhin për borxhin në lartësi 4.5 milionë euro që një operator privat i ka KEK-ut nga viti 2013”, vazhdon arsyetimi i Qeverisë.

Sa i përket menaxhimit të financave, sipas vendimit për shkarkim, ndërmarrja i është detyruar rreth 11 milionë euro ndëshkime Administratës Tatimore të Kosovës.

“6 milionë dyshohet se janë ndëshkime e gjoba vetëm për shkak të moskomunikimit dhe shpërfilljes së rasteve prej përfaqësuesve të KEK-ut”, thuhet aty.

Sipas Qeverisë, ndërmarrja ka blerë pa nevojë mbi 20 vetura, ka paguar për shërbime të kontraktuara pa procedura ligjore, dhe ka lidhur kontrata për shitblerje të energjisë me operatorë që dyshohen të jenë të rremë.

“Në fund, u janë dhënë bonuse menaxhmentit dhe auditorëve, si nxitje për të mos audituar menaxhmentin”, theksohet në arsyetim.

Në fund është përmendur edhe aktakuza e ngritur këtë muaj nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj anëtares së Bordit, Fllanza Beqiri-Hoxha dhe disa zyrtarëve të lartë të KEK-ut për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në lidhje me pronën e ndërmarrjes. Dëmi i shkaktuar sipas aktakuzës është rreth 12 milionë euro.

Në vend të Bordit të shkarkuar është emëruar Bordi i përkohshëm, i cili ka në përbërje: Rrezarta Pllana – kryesuese, Merita Kasapolli, Arbnor Pula dhe Bezat Halilaj.

Ky Bord ka shkarkuar sot Njazi Thaçin, drejtorin e kësaj ndërmarrje, i cili është edhe kushëri i presidentit Hashim Thaçi.

Njazi Thaçi erdhi në krye të KEK-ut në vitin 2018.

Po ashtu, gjatë mbledhjes së sotme, Bordi i përkohshëm shkarkoi edhe Nysret Kelmendi nga pozita e zëvendësdrejtorit të KEK-ut.

Nysret Kelmendi, ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Obiliqit, ishte zgjedhur zëvendësdrejtor KEK-ut në maj të vitit 2019.

KALLXO.com kishte gjetur se zgjedhja e tij në këtë pozitë nga ana e Bordit të KEK-ut është bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike në bazë të interpretimit për këtë ligj që e ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.