KEDS krahason rrymën me barnat: Për ta siguruar rrymë, duhet të paguani

KEDS i ka paralajmëruar qytetarët e Kosovës se energjia elektrike duhet paguar.

Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala përmes një postimi në Facebook ka bërë krahasime duke thënë se si barnat që paguhen, njashtu duhet paguar edhe energjia elektrike.

“Energjia elektrike është mall si çdo mall tjetër. Për ta siguruar, duhet paguar. Është njëjtë sikur kur shkoni në supermarket dhe bleni çka ju nevojitet. Madje, ato mallra, sidomos nepër barnatore po i bleni dukshëm me shtrenjtë se zakonisht”, ka shkruar Buzhala në Facebook.

Sipas tij në asnjë vend të botës nuk ka suspendim të pagesës së energjisë.

“Është e kuptueshme situata e rëndë që ekziston këto ditë. Por, asnjë vend në botë nuk i ka suspenduar pagesat e energjisë elektrike pavarësisht situatës. Kjo, sepse asnjë shtet, sado i zhvilluar të jetë, nuk ka kapacitet të shpërndajë energji elektrike gratis”, ka shkruar tutje zëdhënësi Buzhala.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.