Kapet në Pejë i dyshuari për shpërndarje të drogës

Policia ka arrestuar një person sot në Pejë nën dyshimet për shitblerje të substancave narkotike.

Sipas Policisë, operacionit të arrestimit i ka paraprirë një informatë e siguruar nga zyrtarët policorë për mbikqyrje të kufirit në Vitomricë/Radavc.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale të zyrtarëve policor është arrit që në rr.“Wesley Clark” në afërsi të Spitalit Regjional në Pejë, të ndalohet dhe identifikohet i dyshuari me iniciale E.G. (viti i lindjes 2000) shtetas kosovar i cili ka qenë duke lëvizur në këmbë”, thuhet më tej në njoftim.

Tutje Policia thekson se pas kontrollit të realizuar në çantën e tij janë gjetur dhe sekuestruar provat si në vijim: 31 qese të vogla  të mbështjella me folie alumini ku dyshohet të jenë me substancë narkotike marihuanë, me sasi 34.8 gramë,  88 euro para të gatshme; një telefon Iphone X; një brisk prej 15 cm, me teh prej 6 cm (ngjyrë e zezë dhe metalike); një  pako cigare dhe një parfum.

Policia theksoi se lidhur me rastin janë njoftuar të gjitha njësitet relevante dhe prokurori i Prokurorisë së Pejës dhe se është iniciuar rasti për posedim të narkotikëve.

“I  dyshuari i potencuar më lartë me iniciale, me urdhër të Prokurorit ndalohet për 48 orë, përderisa hetime të mëtejme janë në proces nga njësit i anti-drogës në Pejë”, thuhet në fund.