Natyra Kuçi - PSD

Kandidatja e PSD-së: Nëse NISMA hyn në Kuvend, unë nuk bëhem deputete

Kandidatja për deputete nga radhët e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë se nëse Nisma Socialdemokrate arrin ta kalojë pragun dhe siguron ulëse në Kuvendin e Kosovës, ajo nuk do të bëhet deputete.

Reagimi i Kuçit vjen pas ankesës se Lëvizjes Vetëvendosjes në Gjykatën Supreme me kërkesën për përfshirjen e votave të ardhura nga Serbia.

“Por asnjëherë, as për këtë çmim, nuk do t’i mbështes votat e Vuçiqit veç për t’u bërë vetë deputete”, ka shkruar ajo.

“Kjo na dallon nga VV-ja, e cila për pak më shumë pushtet i pranon edhe votat e Serbisë – që i kundërshtonte zëshëm dikur”, ka shkruar Kuçi  në rrjetin social ‘Facebook’.

Më tej, ajo ka thënë se votat e Serbisë në Kosovë nuk duhet të pranohen pasi që “ky është qëndrim parimor pavarësisht çmimeve partiake”.

Nga rezultatet e publikuara me 7 nëntor nga KQZ, Natyra Kuçi është e vetme nga partia e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, PSD, që mund të hyjë në Kuvend.

Kuçi në këto zgjedhje ka arritur të marrë 4,452 vota në total.

Rezultatet përfundimtare, AAK-PSD me 14 deputetë