IPK thotë se nuk ka pranuar asnjë ankesë për policët gjatë protestës së PSD-së

Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se asnjë ankesë nuk është bërë ndaj policëve që kanë qenë në detyrë gjatë protestës së mbajtur më 29 janar kundër shtrenjtimit të rrymës.

“Ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk ka pranuar ndonjë ankesë”, ka thënë zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka për KALLXO.com.

Mirëpo, në anën tjetër zëdhënësja Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi në një postim në Facebook ka pretenduar se një polic i Kosovës ka goditur kryetarin e kësaj partie, Dardan Molliqaj.

Sipas saj, një veprim të tillë ka bërë njëri nga policët e kordonit që ka mbrojtur hyrjen e Qeverisë së Kosovës gjatë protestës së 29 janarit të këtij viti.

“Një polic i frustruar dhe ndikuar politikisht, e ngreh deri brenda Dardanin dhe e godet”, ka thënë Kuçi në postimin e saj.

E njëjta ka shtuar se shtyrja që Molliqaj ia ka bërë policit ka ardhur pas goditjeve dhe sharjeve më të ndyra që i ka bërë, sipas saj, polici.

“I njëjti polic sot është i lirë”, ka thënë tutje Kuçi.

Në anën tjetër, kreu i PSD-së është arrestuar nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Të njëjtën vepër penale dyshohet se e ka kryer edhe aktivisti i të njëjtës parti, Adem Megjuani.

Sipas Policisë, Molliqaj dhe Megjuani kanë sulmuar katër zyrtarë policor, ku tre nga ta kanë pësuar lëndime trupore.

Për të dy sot gjatë ditës Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit.

Sipas sekretarit organizativ të PSD-së, Nol Nushi masa e paraburgimit do të jetë 30 ditë.

Molliqaj dhe Megjuani janë arrestuar gjatë ditës së djeshme.

Molliqaj është arrestuar gjatë mbrëmjes së djeshme nga Njësitë Speciale të Policisë.

Arrestimi ka ndodhur te zyrat e emisionit Pressing të T7, ku ai do të merrte pjesë në një debat.

Ndërsa për arrestimin e Megjuanit ka njoftuar Nushi.

Ai kishte thënë se Megjuani është arrestuar lidhur me incidentin që ndodhi në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike të shtunën e kaluar.

I njëjti kishe kërkuar që të lirohet aktivisti Megjuani.

Policia gjatë mbrëmjes së djeshme ka publikuar edhe vërtetimin që ia dërgoi Molliqaj, për t’u paraqitur në stacionin policor.