Teutë Rrusta dhe Natyra Kuçi nga PSD dhe kryeministri Avdullah Hoti më 16 shtator 2020, Foto: PSD/Facebook

PSD arsyeton veprimin e zyrtareve të saj ndaj kryeministrit Hoti

Partia Socialdemokrate ka arsyetuar veprimin e dy zyrtareve të saj, Teutë Rrusta dhe Natyra Kuçi ndaj kryeministrit Avdullah Hoti, të cilat ia ndërprenë atij fjalimin, duke fishkëlluar dhe duke i gjuajtur letra në drejtim të tij.

Sipas PSD-së, fjalët-protestë të aksionit ishin se “Personalja është politike; qeveri patriarkale; gratë rrezikohen më shumë nga burrat në shtëpi sesa nga pandemia në rrugë”.

Sipas kësaj partie, dhuna ndaj grave është pjesë e rrjedhës normale të jetës në Kosovë. Në institucione, ky fenomen është punë shifrash të raportuara.

“Janë 388 raste raportimesh për 3 muaj. 388 gra ndaj të cilave është ushtruar dhunë kanë marrë guximin të raportojnë në polici. Në polici, i pret polici që pas procedurave standarde, këtë çështje e konsideron punë të brendshme të familjes. Prandaj ‘Personalja është politike’. Sepse raportet e konsideruara personale, private e familjare janë përplot shfrytëzim e dominim. Janë përplot dhunë”, thuhet në postimin e PSD-së në Facebook.

“Nga familja në shoqëri, nga shoqëria në institucione, dhuna ndaj grave është bërë pjesë integrale, është normalizuar deri atë masë sa është bërë e pavërejtshme. Ky qerthull duhet ndërprerë!”, thuhet tutje në publikimin e tyre.

Kryeministri Hoti ishte i ftuar në një diskutim nga Instituti Demokratik i Kosovës me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe medias, lidhur me marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë si dhe pritjet nga procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Nuk e keni gjetë as vendin as personin e duhur me e bo këtë veprim”, u tha kryeministri aktivisteve të PSD-së.