Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i LVV-së dhe ai i AAK-së në Rahovec përplasen për “rrenën e kryptë”

Në Debat Pernime, kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga LVV-ja, Visar Korenica dhe ai nga AAK-ja, i cili është edhe kryetari aktual i Rahovecit, Smajl Latifi, kanë polemizuar për mungesën e kanalizimit nëpër disa fshatra të komunës.

Fillimisht, kandidati i LVV-së, Korenica ka thënë se Latifi po gënjen për premtimet për ujërat e zeza, duke e cilësuar si “rrenë të kryptë”.

“Për me thënë më butë ‘rrenë e kryptë’. Më herët e tha në mandatin një vjeçar e tash po thotë në mandatin katër vjeçar, çka me thënë më tutje, po e lë me kaq”, tha ai.

 Kurse, kandidati i AAK-së, Latifi, tha se këtë frazë mund ta thotë Jeta Xharra, por jo edhe Korenica.

 “Mendoj që, Jeta e nderuar, ti ke të drejtë me thënë ‘rrenë e kriptë’, por jo edhe një deputet i Kuvendit të Kosovës. Po ju kopjojnë, asnjë ide të veten nuk e ka”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Rahovecit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Rahovecit: Bejtullah Deliu nga PDK; Burim Krasniqi nga LDK; Smajl Latifi nga AAK; Visar Korenica nga LVV dhe Xhafer Bytyqi – kandidat i pavarur.  

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Rahovecit: Besmire Bytyçi dhe Bjondina Kleqka nga AAK; Edona Kryeziu nga LDK; Florida Bajraktari dhe Melinde Iska nga PDK; Merisa Sharku Vuqitërna dhe Shqipe Kryeziu nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.