Foto: Zjarrfikësat Kamenicë/Facebook

Kamenicë, personi që u nxor nga dheu është jashtë rrezikut për jetë

Dheu i shembur e ka zënë një person në një kanal, mirëpo falë intervenimit të Zjarrfikësve të Kamenicës, personi i bllokuar është nxjerrë i gjallë.

Kështu është njoftuar nga Zjarrfikësit e Kamenicës.

Për këtë rast është deklaruar edhe Policia.

Policia ka treguar se personi të cilin e kishte zënë dheu është 47-vjeçar. Ai ka pranuar tretmanin e duhur mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë.

“I lartcekuri nga njësiti i zjarrfikësve është tërhequr dhe është dërguar në qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjilan ku ka pranuar tretman mjekësor. Sipas mjekut kujdestar i lënduari është jashtë rrezikut për jetë” – ka thënë Policia.

Sipas Policisë, 47-vjeçari është bllokuar gjatë punimeve të cilat ishte duke i kryer në një kanal të kanalizimit.

Tutje është treguar se në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që të iniciohet rast si – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Tutje Policia tregon se rrethanat se si ka ndodhur rasti janë duke u hetuar nga Njësia e Hetimeve të stacionit policor në Kamenicë.

Në anën tjetër, zjarrfikësit e Kamenicës kanë thënë se falë informimit me kohë dhe intervenimit të shpejtë nga zjarrfikëst, personi i bllokuar është nxjerrë i gjallë.

Tutje është lënë një mesazh me përmbajtjen “Ne nuk ndalemi kur lodhemi, ne ndalemi kur mbarojmë!”

Në këtë postim po ashtu është bashkëngjitur edhe një video e shkurtër ku shihet intervenimi i zjarrfikësve në këtë rast.