Kamenicë: Komuna ndihmon 129 biznese për përballimin e pandemisë

Komuna e Kamenicës ka ndarë 65 mijë euro për subvencionimin e 129 bizneseve individuale në këtë komunë.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë që komuna është duke u munduar t’u ndihmojë bizneseve.

“Rreth 65 mijë euro kemi ndarë për subvencionimin e bizneseve individuale të komunës sonë. Marrë parasysh që situata me pandeminë i ka dëmtuar bizneset e vogla, ne po angazhohemi që me mundësitë që kemi të ofrojmë mbështetje për ta. Urime të gjithë përfituesve! ”, citohet të ketë thënë Kastrati.

Sipas njoftimit të Komunës, edhe drejtoresha e zhvillimit ekonomik, Majlinda Krasniqi ka thënë se komuna do t’i qëndrojë pranë bizneseve të dëmtuara nga pandemia.

“Jam e lumtur që bizneset e Kamenicë po ndihmon sadopak, sidmos në këtë situatë të pandemisë. Komuna dhe DZHED do të vazhdojnë mbështetjen e bizneseve çdo herë që ata kanë nevojë. Ndonëse jemi komunë e vogël, e kapacitetet nuk janë të mjaftueshme, ne do të mundohemi t’i ndihmojë kurdoherë që i kemi mundësitë”, ka thënë Krasniqi.