Izolohen dy fshatra në Komunën e Pejës

Komuna e Pejës ka marrë masat e para pasi që një banore e fshatit Llugaxhi ka rezultuar pozitive me virusin Covid 19.

Fshati Llugaxhi dhe fshati Kosuriq  janë izoluar nga Komuna e Pejës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci.

Loci tha se janë izoluar edhe dy familje njëra në lagjen “Dardania” të Pejës dhe një familje në fshatin Qyshk të Pejës.

“Të dyja familjet kanë pasur kontakt me të infektuarën” tha Loci.

Drejtori shtoi se vendet e izoluara janë nën mbikëqyrjen e policisë.

Fshati Llugaxhi është në kufi me Komunën e Klinës, e në largësi prej 25 kilometra nga qyteti i Pejës.