Iu pamundësua shkuarja në Beograd, Besnik Bislimi merr pjesë me video-thirrje

Pjesëmarrja fizike që iu pamundësua Besnik Bislimit në Beograd u zëvendësua me një pjesëmarrje online në tryezën e diskutimit që u organizua sot në Beograd.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi foli sot përmes një video-thirrje në në tryezën e diskutimit ‘’Belgrade Security Conference’’, të organizuar në Beograd.

Pjesëmarrja e tij ishte online, për shkak të ndalimit të vizitës së tij dhe pjesëmarrjes fizikisht në konferencën në Beograd.

Bislimi në këtë konferencë ka folur për çështjen e targave, për të cilën ai ka thënë se kërkesa për shtyrje të afatit, rrjedh nga fushatat dezinformuese të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Sa i përket çështjes së targave, tha se kërkesa për shtyrje të afatit, rrjedh nga fushatat e mëdha të dezinformimit që Vuçiq i paraqiti qytetarëve, shqetësimeve kundrejt kërcënimeve të strukturave paralele ndaj qytetarëve në veri dhe gatishmërisë së shfaqur të Vuçiq që të krijojë tensione rreth një çështjeje bazike”- ka thënë Bislimi sipas komunikatës së Qeverisë.

“Nuk ka pasur mangësi të kapaciteteve nga ana jonë, që të përmbushim kërkesat që burojnë nga procesi. Vucic ka folur dhe për dorëzim, por ky është një koncept që kriminelët e përdorin kur flasin me institucionet e qeverisë dhe ne nuk duam t’i shohim qytetarët në atë pozitë. Ne na është thënë, dhe kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë në gjetjen e një mekanizmi përmes të cilit e bëjmë tranzicionin e lehtë, në mënyrë që gatishmëria e qytetarëve në pajtim me sundimin e ligjit të rritet”- ka shtuar ai.

Më tej, numri dy i ekzekutivit ka deklaruar se qëllimi i Qeverisë Kurti II që nga fillimi ka qenë që në procesin e dialogut të flitej për marrëveshje finale.

Bislimi gjithashtu ka shprehur se problemi më i madh në procesin e dialogut, është divergjenca mes pozicioneve të dy palëve, ku për Kosovën është e rëndësishme që të ketë një dokument final dhe të qendëruar me njohjen reciproke, e që sipas zëvendëskryeministrit, për Serbinë është e kundërta.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi dje është kthyer mbrapa nga Serbia për në Kosovë.

Ai ishte nisur drejt kryeqytetit serb, Beograd për të marrë pjesë në një konferencë dy ditore, në të cilën temë diskutimi ishin edhe raportet mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Mbrëmë, pas kthimit në Kosovë, Bislimi tha se gjithçka ishte në rregull deri në momentin kur u është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë siguri apo siguria ka qenë e cenuar.

“Sot gjithçka ka qenë në rregull deri sa në një moment të caktuar na është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë sigurinë apo siguria ka qenë e cenuar” – u shpreh numri dy i Qeverisë së Kosovës.

Bislimi këtë nuk e mendon të jetë arsyeja e vërtetë.

Ai tha se arsyeja është diku tjetër. Zëvendëskryeministri theksoi se ka pasur për qëllim që Beogradit, korit diplomatik dhe qytetarëve serbë t’i ofrojë verzionin e Kosovës mbi zhvillimet edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës.

Kthimi i Bislimit u tha se u bë afër 85 kilometra në afërsi të Beogradit.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të ri për targat, të cilin kryeministri Albin Kurti e ka quajtur vendim që bënë “sekuencimin dhe shkallëzimin e sanksioneve për targat ilegale”.

Vendimi i ri qeveritar parasheh disa masa, të ndara në faza të ndryshme, e që përfundojnë më 21 prill 2023, pas cilës datë, sipas kryeministrit nuk do të lejohet të ketë targa të tjera në Kosovë.

“Duke filluar nga 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj nga 21 nëntor, për 2 muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj, nga 21 janari do të kemi targa provuese për 2 muaj të tjerë. Pas datës 21 prill nuk do të ketë më targa provuese, pasi që nuk mund të ketë targa të tjera në Republikën e Kosovës” – tha kryeministri Kurti para anëtarëve të qeverisë.

Sipas Kurtit, këto masa tregojnë “seriozitetin e qeverisë për ta zbatuar vendimi”, por edhe për, sic e quajti ai, “ndjeshmërinë e shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë”.