Komuna e Prishtines, Foto: Atdhe Mulla.

Ish-zyrtarët e Prishtinës vazhdojnë t’i shfrytëzojnë banesat komunale pa kontrata

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në Komunën e Prishtinës janë disa zyrtarë e ish- zyrtarë të Komunës që kishin përfituar banesa me qira nga ana e Kuvendit Komunal në vitin 2007 dhe 2008 e të cilët vazhdojnë t’i shfrytëzojnë edhe tani 13 vite më vonë, pa pasur fare kontratë.

Auditori ka testuar 4 raste dhe secila prej tyre, ndonëse kanë afat të skaduar të kontratës, vazhdojnë të shfrytëzohen.

“Përveç kësaj edhe pse kompensimi ishte minimal pagesa e qirasë nuk ishte bërë në kohë të rregullt dhe figuronin borxhe në vlerë 15,874€ kurse një qiramarrës edhe pse me kontrate të skaduar ka bërë pagesën prej 297€”, thuhet tutje në raportin e ZKA-së.

Sipas auditorit, Komuna brenda viteve 2007 dhe 2008 kishe lëshuar 43 banesa komunale me qira për ish këshilltarët komunal dhe për punëtorë administrativ.

Kjo çështje ishte përmendur edhe në raportin e kaluar të auditorit, mirëpo Komuna nuk ka marrë asnjë masë.

“Shfrytëzimi i pronave komunale me kontrata të skaduar apo në mungesë të tyre, ndikon që komuna të humb të drejtën për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e proceduarve gjyqësore në raste të mos arkëtimit të të hyrave”, vlerëson auditori.

KALLXO.com kishte shkruar në 2017 për përfituesit e këtyre banesave.

Në mesin e personave që kanë përfituar janë edhe drejtorë të LDK-së në Komunën e Prishtinës si Muhamet Gashi, Halim Halimi, Agim Dibrani, Sabedin Haxhiu dhe asamblisti i PDK-së Shemsi Veseli e të tjerë.

Pasanikët Nëpër Banesat Sociale të Prishtinës

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë.