Ish-sekretari i NATO-s: Ndikimi rus në Ballkan duhet të luftohet, s'duhet lejuar kthimi i dhunës i viteve '90-të në Kosovë

Ish- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson, e ka të varur në zyrën e tij një pikturë të dhuruar nga fëmijët e Poklekut të Drenasit. Në të janë të paraqitura disa lule mbi eshtrat e trupave të vrarë në këtë fshat gjatë luftës së fundit në Kosovë. Atë pikturë, ai thotë se ia rekomandon ta sheh kushdo që e viziton zyrën e tij në parlamentin britanik. Për krimin që kishte ndodhur në Poklek, për përjetimet e asaj kohe si njeri me ndikim, për vizionin për një Kosovë multietnike, dhe për shumëçka tjetër që ka të bëjë me sigurinë rajonale e gjithëbotërore, Robertson flet në një intervistë ekskluzive në KallxoPërnime përball Jeta Xharrës.

Pas dhunës së tmerrshme të ushtruar nga ushtria e Millosheviqit dhe paraushtarakët serbë, ai thotë se do të ishte e pamundur të pritej që në Kosovë të krijohej një Zvicër apo Skoci brenda natës. I ardhur në Kosovë në shënim të 25-vjetorit të çlirimit, Robertson gjatë intervistës ka folur për rastin e Banjskës, me ç’rast ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar t’i dënojë aktet e tilla dhe në asnjë mënyrë të mos lejojë kthimin e dhunës së viteve të 90-ta, qoftë në veri të Kosovës, qoftë në Serbi, qoftë në Republikën Sërpska.

Ai ka përkujtuar se pas luftës në Kosovë ka pasur shumë hakmarrje e dhunë, por ka thënë se pajtimi është e vetmja zgjidhje në këso raste. Si shembull ka marrë rastin e Irlandës së Veriut, kur Mbretëresha tashmë e ndjerë [Elizabeth II] ka shtrënguar duart me Martin McGuinness, me njeriun që kishte qenë komandant i IRA-s, kur IRA tentoi ta vriste kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, Margaret Thatcher.

Robertson ka folur edhe për figurat politike me ndikim në Kosovë me të cilët ka pasur kontakte pas luftës. Ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, e ka cilësuar si njeri që kishte dinjitet dhe të pa mëkat. Ish-kryeministrin, Bajram Rexhepi [i ndjerë], e ka kujtuar si person të këndshëm, të qetë dhe serioz. Për Hashim Thaçin ka thënë se është “lider i lindur” që mbase një ditë mund të kthehet sërish në skenë. Një vlerësim pozitiv e ka dhënë edhe për Agim Çekun, përderisa ka folur edhe për natyrën e Carla Del Pontes.

Ish-sekretari i Mbrojtjes në kohën kur qeveria britanike është drejtuar nga Tony Blair, e ka pranuar se NATO është vonuar në intervenim në Bosnjë e Hercegovinë, për sa kohë që ka shprehur qëndrimin edhe rreth luftës në Ukrainë. Ai ka thënë haptas se Ukrainës po i ndihmohet ushtarakisht, por Britania e Madhe nuk dëshiron një Luftë të Tretë Botërore mes NATO-s dhe Federatës Ruse. “Po mundohemi të shmangim një luftë të tillë”, ka thënë ai. Në intervistën e gjatë për KallxoPërnime, Robertson ndër tjera ka folur edhe për rrezikun që i kanoset Ballkanit dhe jo vetëm, nga propaganda dhe dezinformimi nga Rusia.

Intervista e plotë:  

Jeta Xharra: Z. Robertson, mirë se vini sërish në Kosovë!

George Robertson: Faleminderit shumë!

Jeta Xharra: Çfarë ndjenje ju dha kthimi në Kosovë?

Robertson: Ndjenjë krenarie të madhe. Kur e mendoj pas 25 vitesh dhe kur e kujtoj ardhjen time në Kosovë për herë të pare e mendoj dëmin që ishte bërë dhe problemet që ishin, por edhe ngrohtësinë e mikpritjes në atë kohë dhe ndjenjën e kënaqësisë që kam ndihmuar të bëhet diçka këtu bashkë me shumë njerëz të tjerë, për të çliruar këtë vend dhe për t’i dhënë një shans të jetë vend modern multietnik evropian dhe kjo më bën krenar.

Jeta Xharra: 25 vjet më pas, sa jemi afër idesë së Kosovës multietnike që patët ardhur për ta bërë dhe krijuar? A mendoni se jemi një shembull i mirë i kësaj?

George Robertson: Besoj se jeni shembull i mirë. Besoj se Kosova është dhe mund të përfaqësojë diçka ku mirësjellja dhe drejtësia mundi të ligën e asaj kohe me një ndërhyrje të kufizuar ushtarake. Ne bëmë atë që besuam se ishte e drejtë në atë kohë dhe krijuam diçka që do të jetë pastaj çështje e vetë kosovarëve e që, qofshin ata shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë të mund të nxjerrin prej saj. Ajo që bëmë ne ishte se prodhuam një gjendje përfundimtare, shpëtimin. Pastaj, gjërat ishin në duar të njerëzve të vendit. Kam ende shpresë se do të prodhohet diçka që do të jetë e mire dhe do të jetë shembull i shkëlqyer i ndërhyrjes humanitare.

Jeta Xharra: Nëse reflektojmë për këtë javë të veçantë, datat 11, 12, 13, 14 qershor kur ishim refugjatë, duke përfshirë edhe mua – kthimi jonë u bë në mënyrë të paparë. 1 milion njerëz u kthyen në shtëpi brenda javësh. Kjo nuk kishte ndodhur më parë. Mbaj mend që kemi shkelur të gjitha protokollet e sigurisë. Personeli i sigurimit u thoshte refugjatëve se zona është e minuar dhe nuk duhet të ktheheshin. Ne nuk dëgjuam. A duhet të kishim dëgjuar?

George Robertson: Ke shumë të drejtë. Ishte me rrezik të lartë dhe njerëzit duhet të dëgjojnë këshillat dhe më kujtohet cila ishte këshilla. Njerëzit donin të ktheheshin, ishte atdheu i tyre. Ata ishin përzënë prej saj me dhunë të paparë dhe donin të ktheheshin. E mbaj mend fort mirë atë kohë. Mbaj mend telefonatat sepse punonim në distancë. Gjenerali Mike Jackson më mori natën vonë në telefon kur rusët ishin nisur nga Tuzla.

Jeta Xharra: Këto nuk ishin momente të qarta. Ato nuk ishin ditë shumë të qeta.

George Robertson: Ka qenë shumë e vështirë, mund të humbnim shumë. Mendoj se njerëzit harrojnë se sa rrezik ishte.

Jeta Xharra: Jo, mendoj se duhet t’ua kujtojmë njerëzve. Ishte shumë kaotike. Keni pasur një sfidë të vërtetë. Si shqiptare, e di që ishim të zemëruar, ishim mjaft hakmarrës, për shkak të 10 viteve, pra një dekade represioni. Si ia dolët, kur patë se njerëz që ju i kishit shpëtuar papritmas u bënë mjaft hakmarrës.

George Robertson: E dinim këtë dhe e kuptonim, por donim ta ndalonim. Dhe kjo është arsyeja pse ne përfshimë disa nga trupat më të forta të ushtrisë britanike në Kosovë. Më kujtohet mirë kur dhashë njoftimin në Kuvendin tonë se do të dërgonim Regjimentin Parashutist si dhe Gurkat, për të përforcuar forcat paqeruajtëse dhe një gazetare e Daily Telegraph tha se z.Robertson pretendon të dërgojë djemtë më të fortë të ushtrisë britanike për të bërë paqeruajtje. Por ne e dinim se luftëtarët e fortë mund të jenë paqeruajtës por paqeruajtësit nuk mund të jenë luftëtarë të fortë. Pra, ne përfshimë disa nga djemtë më të fortë. Në fakt njëri prej tyre ishte me mua në aeroplan mbrëmë. Ne e dinim që mund të kishte probleme, kështu që na duheshin ushtarë të fortë për t’u siguruar që të mos ndodhnin probleme.

Jeta Xharra: Dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Por ana tjetër është se ata ushtarë, sado të fortë ishin, nuk mund të ndalonin atë që po ndodhte. Unë isha gazetare në atë kohë dhe ushtarët britanikë në Prishtinë përpiqeshin të ndalonin zjarret nga shtëpitë e romëve mes tjerash, dhe ishin pikërisht të rinjtë e moshës madhore që po u vinin flakën këtyre shtëpive. Ushtarët britanikë i gjenin por nuk dinin çfarë të bënin me këta njerëz. Ushtarët e fortë të bëjnë detyrë polici… Sa detyrë e pamundur ishte kjo?

George Robertson: Epo ishte e vështirë, por nuk ishte e pamundur, dhe në fakt ata ia dolën. Fakti është se ata mbanin një nivel të mirëfilltë sigurie. Ata mbronin serbët e moshuar të Kosovës që jetonin këtu dhe nëse shkoni në ekspozitën aktuale të Muzeut Kombëtar të Kosovës ku isha sot në hapjen e një ekspozite fotografike, ekspozitë e jashtëzakonshme, shpresoj që të gjithë shikuesit tuaj të shkojnë dhe ta shohin atë. Ishin fotografi të hatashme nga fotograf i spikatur. Çdo fotografi flet një histori të këtyre ushtarëve nga të gjitha kombet e ndryshme, që kujdeseshin për njerëzit. Fëmijët duke luajtur futboll me ushtarët. Këta tani ndoshta janë të rritur, ndoshta janë bërë edhe gjyshër.

Jeta Xharra: Pra, ata bënë më të mirën. Nuk mund të bënin punë perfekte. Ata mund të kenë bërë më të mirën, por nëse e pyet palën tjetër, nuk ishte sukses, sepse Prishtina dhe shumë qytete të Kosovës u spastruan nga serbët dhe romët. Pra, çfarë do t’i thoshit dikujt që thotë “kjo nuk ishte e suksesshme”?

George Robertson: Epo, kurrë nuk mund të ketë sukses të plotë. Pas dhunës së tmerrshme të ushtruar nga ushtria e Millosheviqit dhe paraushtarakët, do të ishte e pamundur të krijohej një Zvicër apo një Skoci brenda natës. Pra, ne e kuptojmë plotësisht këtë dhe kishim synim të zbusim incidentet më të këqija, dhe besoj se ia kemi dalur dhe kemi krijuar kushtet që të rivendosej një shkallë e arsyeshme stabiliteti dhe paqeje dhe disa nga historitë që tregoheshin në atë kohë dhe mbaj mend që njerëzit në rrugë ishin ata që po i mbronim, por nuk mund të ketë një periudhë ku Serbia apo Millosheviqi po spastronte etnikisht vendin dhe pastaj të presim që njerëzit të fillojnë menjëherë të buzëqeshin dhe të jenë jashtëzakonisht mirënjohës. Me siguri që do të ketë një periudhë pas së cilës do të ndërtohet vendi multietnik.

Jeta Xharra: Cila ka qenë koha më e vështirë që mbani mend, nata më e vështirë?  Ndonjë natë që s’ju ka zënë gjumi, ose ndonjë situatë ku keni menduar “Nuk do të jem në gjendje ta kontrolloj këtë!”

George Robertson: Nuk mendoj se në asnjë moment kemi thënë se do ta kemi kontrollin, por kishte netë që nuk mund të bombardonim sepse retë ishin shumë të ulëta dhe kishte raste kur ne po shkonim drejt objektivave të gabuar. Më erdhën disa zyrtarë vonë natën duke më treguar fotografi dhe më duhej sot të firmosja letrën e të jepja urdhrin se mund të bombardojnë dhe të nesërmen ndërtesa nuk ishte aty më. Kur isha Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, një nga vizitat e mia të fundit ishte në Beograd. Dhe më çuan në një shëtitje nëpër të gjitha ndërtesat që bombarduam gjatë asaj periudhe.

Jeta Xharra: Vërtetë?

George Robertson: Ishte Shtabi i Përgjithshëm, Ministria e Mbrojtjes Ministria e Brendshme, Shtabi i Policisë, por ne e kemi bërë veprimin forenzikisht. Kjo duhet të jetë e vetmja herë në histori të botës që një kryeqytet bombardohet pa u larguar askush nga aty, askush nuk u largua sepse bombardimi ynë ishte projektuar për ta ndalur zemrën e forcave ushtarake, dhe jo më shumë, dhe këto ndërtesa u shkatërruan të gjitha, por pemët rreth tyre mbeteshin të paprekura.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson përballë autores së emisionit KALLXOPernime, Jeta Xharra

Jeta Xharra: Kemi nisur një projekt me arkivat e asaj kohe dhe kohët e fundit kam qenë në Beograd për të gjetur arkivat dhe pikërisht ndërtesën për të cilën po flisni dhe është vërtet interesante se si serbët, 25 vjet më vonë, në ndërtesën ushtarake në qendër të qytetit e që është kompleks i madh, qendra e shtabit të ushtrisë serbe është ende e shkatërruar, dhe ata refuzojnë ta rindërtojnë atë, dhe kishte diçka të re që nuk e kisha parë kurrë më parë: një mbishkrim i madh në flamuj përgjatë rrugës thoshte “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Është një thënie e famshme “Kad se vojska vrati në Kosovo”. Nuk kemi pasur më pare ringjallje të ambicies që Serbia po tregon se dëshiron, të paktën deklarativisht, për t’u kthyer në Kosovë. Si e shihni këtë ringjallje? Pse mendoni se po ndodh kjo?

George Robertson: Mendoj se është thjesht retorikë boshe. Ka rritje të nacionalizmit etnik në këtë rajon dhe vende tjera. Rezultatet e zgjedhjeve evropiane, për fat të keq, tregojnë rritje të së djathtës ekstreme nacionaliste momentalisht, dhe mendoj se po reflektohet edhe aty. Thellë brenda vetes, kryeministri i Serbisë e di që populli i tij dëshiron të jetë në Bashkim Evropian. Ata dëshirojnë të jenë pjesë e rrjedhave evropiane. Ata kanë talent, aftësi, kanë rini që sheh një horizont më të gjerë sesa të jetojnë në historinë e rajonit. Kështu që unë e shoh këtë si thjesht nominale.

Jeta Xharra: Por ata e bëjnë atë.

George Robertson: Një mik i ngushtë i imi ishte në një udhëtim në Danub, rreth Beogradit. Njerëzit thoshin “Kjo është një ndërtesë e vogël që NATO e bombardoi” pa e ditur se ai ishte mik i ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s”. Dua të them, ne shkatërruam ato ndërtesa, por nuk vramë njerëzit.

Jeta Xharra: Ju thoni që është retorikë, por shtatë muaj më parë patëm 30 burra të armatosur deri në dhëmbë, armët e të cilëve ishin nga bazat në Serbi sepse i gjetëm sipas kodit të regjistrimit. Ata erdhën në Kosovë, organizuan një sulm terrorist dhe një polic u vra. Çfarë thoni për këtë?

George Robertson: Komuniteti Ndërkombëtar duhet të dënojë këto akte dhune. Ata duhet të dënojnë çdo kthim te dhuna e viteve 90-ta, qoftë në veri të Kosovës, qoftë në Serbi, qoftë në Republika Sërpska. Komuniteti Ndërkombëtar e ka bërë të qartë se kjo është e papranueshme, dhe se kjo do të ndalojë ambiciet e Serbisë për të qenë pjesë e Evropës normale, pjesë e të cilës rinia e Serbisë dëshiron të jetë. Një pjesë nga ajo periudhë kohore kur ju ishit në shërbim në Kosovë mbetet deri më sot një plagë e hapur. Është ndarja në Mitrovicë, e cila deri më sot po shkakton vëmendje të vazhdueshme.

Jeta Xharra: Ju pyeta për serbët dhe romët që janë spastruar nga Prishtina, por shqiptarët e veriut nuk janë mbrojtur nga NATO për të qëndruar në veri. Ata u spastruan etnikisht dhe jetojnë në jug dhe pjesën tjetër të Kosovës. Çfarë do t’u thoni atyre sot?

George Robertson: Shpresoj që të kthehen. Shpresoj që Kosova sërish të jetë një vend i bashkuar. Unë nuk jam i përfshirë në negociatat aktuale dhe nuk dua të jem gjeneral ushtarak që flet si analist nga kolltuku, dhe shoh arsye pse të jem sekretar i përgjithshëm analist nga kolltuku…

Jeta Xharra: E kuptoj që nuk jeni i përfshirë sot, por ishit atëherë. Çfarë do t’u thoni kritikëve që thonë se lejuat ndarjen e qytetit në pjesë shqiptare dhe serbe?

George Robertson: Jo në kohën time. Kam qenë në Mitrovicë dhe kam qëndruar aty tek ura.

Jeta Xharra: Por ju ishit atje. Protestat më të mëdha ndodhën në kohën tuaj.

George Robertson: Po, pasi që ndodh diçka, diçka mbetet. Më kujtohet koha kur ishte z. Kouchner, i cili deshi të vijë këtë javë por për fat të keq nuk mundi. Nuk mund të ketë vite e vite dominimi komunist, dhe pastaj periudhë aparteidi, e pastaj të shpresohet se do të jetë si në Zvicër brenda natës. Nuk mundet. Shpresoj që ata që po krijojnë probleme ta kuptojnë se krejt çka po bëjnë është po e mbajnë prapa këtë vend dhe njerëzit e tij.

Jeta Xharra: Por, a nuk mendoni se kishte marrëveshje për t’i lejuar ata që quheshin Rojet e Urës, për të lejuar Rojet serbe të Urës ta vëzhgojnë këtë ndarje, për ta shtyrë tutje këtë ndarje midis pjesëve serbe dhe shqiptare. A nuk lejuat ekzistimin e Rojeve të Urës?

George Robertson: Nuk më kujtohet ta kem bërë këtë. Sidoqoftë, politikanët nuk ishin në krye të misioneve ushtarake. Më vjen keq që Mitrovica dhe veriu nuk janë plotësisht funksionale si pjesë e Kosovës, pavarësisht faktit që ka serbë të Kosovës në qeveri, në parlament. Ky vend është ende një vend multietnik, por kjo ndarje është për keqardhje, e cila do të zgjidhet vetëm pasi që Serbia dhe Kosova të zgjidhin raportet mes tyre.

Jeta Xharra: Saktësisht këtë verë para 25 vitesh kishte trazira në pjesë të tjera të Kosovës, por ajo që po ndodhte ishte me një nuancë tjetër, dhe ishte shumë pikëlluese për ne fakti që jo vetëm shqiptarët, serbët dhe romët hakmerreshin ndaj njëri-tjetrit, por që edhe shqiptarët vrisnin shqiptarë që mendonin se kishin qenë bashkëpunëtorë ose konsideroheshin kundërshtarë politikë.Kemi pasur vrasje politike që i quanim vrasje me motiv politik. Çfarë dinit për to në atë kohë?

George Robertson: Epo, nuk më kujtohen. Sigurisht që kanë ndodhur. Po flisni për një situatë pas lufte. Po flisni për represion pas lufte…

Jeta Xharra: Ka qenë një gazetar i famshëm me emrin Xhemajl Mustafa, që ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës.A e mbani mend që u qëllua në vitin 99, menjëherë pas luftës, në verë?

George Robertson: Kishte shumë, kishte shumë dhunë në atë kohë. Kishte shumë hakmarrje. Kishte shumë ndjenja të fuqishme në atë kohë, të cilat u përpoqëm shumë t’i zgjidhnim. I dënoj të gjitha ato, i kritikoj ashpër të gjitha ato. Duhet të ketë hapësirë për pajtim. Duhet të ketë marrëveshje, duhet të ketë kompromis njerëzit duhet ta kuptojnë se nëse duan të prodhojnë një të ardhme për gjeneratën e re duhet të zgjidhin disa nga këto probleme historike të cilat nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjet e përditshme.

Jeta Xharra: Epo zoti Robinson, shumica e njerëzve që na shikojnë do të thonë se Kosova ka bërë kompromise, sepse ne kaluam nëpër një proces me Pakon Ahtisaari, e cila të drejtat për pakicat i bëri maksimale, të drejta të garantuara në parlament, dhe komuna shtesë që nuk ekzistonin më parë u bënë komuna serbe. Kosova është shumë e kushtëzuar sa që nuk është në gjendje të bëjë ndryshime për shkak të të gjitha kompromiseve që ka bërë Kosova ishte shtet që nuk u lejua të bëhej shtet pa kompromise, prandaj çfarë do t’u thoni njerëzve që thonë se kemi bërë të gjitha kompromiset që na keni kërkuar? Kur do të përfundojë kjo? Kur do të përfundojë kërkimi i kompromiseve nga shqiptarët e Kosovës? 

George Robertson: Sa është e gjatë një copë litari? Nuk e di. Nuk e di përgjigjen. Kjo do të bëhet kur të paraqitet mundësia. Ndërkohë mendoj se si në Serbi ashtu edhe në Kosovë njerëzit duhet të dëgjojnë këshillat që jepen nga Komuniteti Ndërkombëtar. Komuniteti Ndërkombëtar u mblodh për ta shpëtuar këtë vend dhe për t’i shpëtuar njerëzit e tij, dhe ata e bënë këtë me vendosmëri dhe e bënë me kosto të lartë dhe e bënë me rrezik të lartë. Por ata e bënë sepse ishte gjëja e duhur për ta bërë. Tani Komuniteti Ndërkombëtar ndonjëherë u jep mesazhe Beogradit dhe Prishtinës që janë të pakëndshme dhe që mund të kërkojnë më shumë kompromise, më shumë marrëveshje, më shumë pajtim, por ata duhet ta dëgjojnë atë sepse përndryshe nuk do të ishin sot këtu. As zoti Vuçiq, i cili me shumë gjasë do të ishte eliminuar nga Millosheviqi, ose nga udhëheqësia politike këtu po të mos ishte Komuniteti Ndërkombëtar, dhe për këtë arsye Komuniteti Ndërkombëtar ia vlen të dëgjohet.

Jeta Xharra: Epo, le ta themi kështu.  Nëse pas Luftës së Dytë Botërore, 25 vjet më vonë, Presidenti i Gjermanisë do të ishte Gebelsi, i cili në atë kohë ishte Ministri i Informacionit për Hitlerin. Marrë parasysh që Vuçiqi ishte Ministri i Informacionit për Millosheviçin, me këtë analogji, do të negocionit ju, forcat Aleate, francezët, britanikët, ndonjëherë me një Gjermani të drejtuar nga oficeri i informacionit të fashistit Hitler, siç ishte Gebelsi?

George Robertson: E di se po hyjmë në tema emocionale dhe e di se doni të nxisni përgjigje nga unë…

Jeta Xharra: Jo thjesht po ju them që Vuçiq ishte pjesë e regjimit të Millosheviqit. Ju po na kërkoni të bëjmë marrëveshje dhe kompromis me dikë që ra dakord me fushatën e spastrimit etnik të Millosheviqit.

George Robertson: Ju po shprehni një mendim…

Jeta Xharra: Mirë, si do të shpreheshit ju?

George Robertson: Unë them, shikoni Irlandën e Veriut, vendin tim. Shikoni jetën time personale para ca gjeneratash. Ushtria Republikane Irlandeze, IRA, bombardonte dhe 3,000 njerëz vdiqën në trazira. Ata bombarduan Grand Hotelin ku po qëndronte Margaret Thatcher. Ata bombardonin në Londër dhe përfundimisht e kuptuan se nuk po arrinin asgjë përmes dhunës, dhe në atë pikë qeveria britanike duhej të bisedonte me njerëzit që kishin organizuar ato vrasje dhe atë dhunë, kështu që kur shkëlqësia e saj, Mbretëresha e ndjerë, shtrëngoi duart me Martin MekGinnis, ajo po shtrëngonte duart me njeriun që kishte qenë komandant i IRA-s, kur IRA ishte ajo që tentoi ta vriste Kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar. Kështu që ndonjëherë duhet të bëni gjëra shumë të vështira me njerëz shumë të vështirë nëse dëshironi të prodhoni paqe afatgjate.

Jeta Xharra: Në rregull, por Kosova po nënshkruan marrëveshjen që kërkuan ndërkombëtarët ta nënshkruajnë. Ka një marrëveshje në Ohër, ku Kosova ka nënshkruar pjesën e saj të marrëveshjes e Serbia jo, dhe ndërkohë Kosova është vënë nën sanksione, pavarësisht se është vend që është plotësisht pro-ukrainas, pro-perëndimor, ndërsa Serbia është plotësisht në mbështetje të Putinit, si vendi i vetëm evropian ku 70% e njerëzve, sipas sondazheve, mbështesin pushtimin e Ukrainës. Nuk i ka vënë embargo armësh Rusisë, dhe neve na qortojnë dhe ne jemi nën sanksione, e jo Serbia! Si e shpjegoni këtë?

George Robertson: Epo, jeta nuk është e lehtë, duhet negociuar deri në pikën ku Serbia përfundimisht do të duhet ta njoh Kosovën si shtet të pavarur. Por nuk do të jetë rrugë e lehtë dhe për këtë arsye do të duhen shumë kompromise, dhe duhet të pranohen shumë këshilla të pakëndshme. Por e dini, unë nuk jam i përfshirë në këto negociata aktuale. Jam një ish-Sekretar i Përgjithshëm, jam një ish-politikan.

Jeta Xharra: E di që nuk jeni i përfshirë, dhe për këtë arsye po ju pyes, jo për shkak të marrëdhënieve tona me Serbinë, por për shkak të marrëdhënieve tona me komunitetin ndërkombëtar, i cili është më i ashpër ndaj Kosovës, i vendos masa Kosovës dhe jo masa Serbisë, madje mbron Millan Radoiçiqin, i cili ka qenë personi i sulmit terrorist në Kosovë. Serbia nuk është sanksionuar ndërsa Kosova po. Si e shpjegoni këtë lidhur me Komunitetin Ndërkombëtar?

George Robertson: Unë nuk jam këtu për të shpjeguar të pashpjegueshmen.

Jeta Xharra: Por njerëzit ndjejnë se tani Komuniteti Ndërkombëtar nuk është i drejtë- Komunitet Ndërkombëtar që ka më pak besueshmëri dhe integritet për ta kuptuar historinë e asaj që ndodhi dhe pozicionimin tonë ndaj botës, sa properëndimore është Kosova. Ne ndjehemi sikur Kosova nuk po shpërblehet për rreshtimin pro-perëndimor. Nëse do të ishim më pro-lindor ose pro-rus, do të na merrnin më seriozisht. Ndjenja është e tillë.

George Robertson: Jo, nuk mendoj ashtu. Ju e patët Tony Blair-in këtu këtë javë. Mua gjithashtu. Sot e patët kryeministrin e Italisë. Ish-kryeministrin e Italisë.

Jeta Xharra: Por ai i njëjti Tony Blair tani po merr rrogë nga Vuçiqi dhe po punon për të!

George Robertson: Punon për marketingun e tij.

Jeta Xharra: Duhet t’i themi gjërat troç, apo jo?

George Robertson: Ju vazhdimisht po më thoni këto gjëra.

Jeta Xharra: A nuk po punon ai për të?

George Robertson: Nuk e di se a punon a jo!

Jeta Xharra: Vuçiqi është klient i tij.

George Robertson: Ai komunikon me shumë qeveri të ndryshme të botës, duke u munduar t’i bindë në rrugën demokratike, ai i përdor aftësitë, njohurinë dhe përvojën e tij për të punuar me shumë shtete të botës, duke i shtyrë në drejtimin e duhur për t’u bërë vende demokratike, për t’u hapur dhe për t’u bashkuar në aspektin ekonomik me vendet tjera. Kjo është ajo që ai bën. Ka qenë shefi im dhe kryeministri im kur isha Sekretar i Përgjithshëm i Mbrojtjes. Nuk është se ai punon për të fuqizuar diktaturat nëpër botë.

Jeta Xharra: A nuk është cinike të punosh për Vuçiqin 25 vjet pasi e ke bombarduar Serbinë dhe ke dhënë vendimin për bombardim? Pse iu desh Tony Blair-it të punojë për Vuçiqin?

George Robertson: Mua më kanë kërkuar të bëhem anëtar këshillues i një Grupi analitik në Serbi, dhe thashë ‘Po’. Unë do të doja të kisha rol me ndikim atje…

Jeta Xharra: Ndryshe është të punosh për Grup analitik, por për qeverinë serbe, a do të punonit ju për ta?

George Robertson: Po, do të punoja si këshilltar i tyre. Do t’i këshilloja që ta zgjidhin problemin me Kosovën nëse vërtet duan t’i afrohen BE-së.

Jeta Xharra: Po ju kuptoj që do të punonit si këshilltar i tyre dhe kjo është pozitive, por a do të merrnit rrogë nga ta?

George Robertson: Nuk e di nëse Tony Blair merr rrogë nga Serbia, nuk mendoj se po. Ai ka punuar më moti si konsulent por sot e këshillon Grupin analitik tashmë të famshëm ndërkombëtarisht. Ka shumë njerëz që punojnë për të aty duke bërë analiza të çështjeve të ndryshme botërore. Ai e ka ndërprerë punën si konsulent qe një kohë, ndërsa tani dëshiron të mbyllë disa probleme kyçe. Përvoja, ekspertiza, por edhe guximi që ka shfaqur ai gjatë luftës në Kosovë ka dobi gjigande për regjionin.

Jeta Xharra: Një pyetje specifike e kam për ju. Krimi i organizuar ka qenë shumë aktiv që nga viti 2000. Kosova në ato vite karakterizohej nga kaosi dhe krimi i organizuar. Çfarë informacionesh keni pasur atëherë lidhur me këtë? Kur merreshit me çështjen e Kosovës, a e keni mbyllur njërin sy dhe keni lejuar të ndodhin këto gjëra?

George Robertson: Jo. Më kujtohet Goran Svilanoviq, i cili ishte Ministër i Jashtëm i Jugosllavisë në kohë të Millosheviqit, ai erdhi në shtabin e NATO-s dhe mbajti një fjalim të fuqishëm, me ç’rast tha: Imagjinoni arritjet që do t’i kishte Ballkani sikur edhe ne politikanët të kishim po aq diversitet sa ka krimi i organizuar. Kjo fjali ishte shumë me vend, sepse krimi me të vërtetë nuk njeh kufij, nuk njeh urrejtje ndër-etnike. Atyre nuk ua ndien se me kë bashkëpunojnë, dhe edhe politikanët do të duhej të ishin ashtu. Kufijtë thuajse nuk ekzistojnë më. Tregu i përbashkët i BE-së ka sjellë lulëzim për çdo shtet, duke përfshirë edhe shtetin tim. Edhe pse ne u treguam të marrë që dolëm nga BE-ja. Krijimi i tregut të përbashkët në Ballkan është ide shumë e mirë, pra, kufijtë nuk ekzistojnë, por politikanët duhet të jenë sa më bashkëpunues ndër-etnikisht, më shumë se këta kriminelë të organizuar, dhe ndoshta në këtë mënyrë shtetet do të zhvilloheshin më shumë se ta.

Jeta Xharra: Kur shikova arkivat e Shtëpisë së Gazetarëve që sapo inauguruam për 25-vjetorin e luftës, pashë një pamje tuajën që më la përshtypje se sa të butë keni qenë me njerëzit. Ishit në Poklek në një shkollë dhe takuat nxënësit, dhe kishit vendosur hundë palaçoje edhe pse e dinit se kamerat po ju incizojnë, e dinit se kjo mund të mos i ketë hije një gjenerali të NATO-s. Ishit të thelluar në aktivitet me nxënësit, ishit komunikativ me ta dhe nuk çanit kokën për kamerat. Çfarë ndodhi pas asaj ngjarje? Çka ishte ai takim dhe na thoni si u keqpërdor ajo foto?

George Robertson: Ishte përvjetori i parë i bombardimeve në vitin 2000. Unë sapo mora detyrën e sekretarit të përgjithshëm. Pokleku është fshat të cilin e kishin sulmuar paramilitarët serbë. Atje kishin vrarë 20 fëmijë, sa kishin qenë në shtëpi me familjet e tyre. Ky kishte qenë krim i llahtarshëm lufte dhe ne ishim atje në nderim të tyre me rastin e përvjetorit të bombardimeve. Por kishte rastisur që në Angli të jetë një ditë humori, Dita e Hundës së Kuqe, ku grumbullohen fonde humanitare. Gjatë kësaj dite njerëzit vendosin hunda palaçoje, dhe fëmijët i kishin vendosur ato gjithashtu për ta relaksuar mendjen, dhe ata deshën që edhe ne t’i vendosim ato. Njeriu mund të jetë edhe shkakaxhi e humoresk, por edhe serioz, dhe unë ashtu isha, sepse ngjarja që kishin përjetuar këta fëmijë ishte e tmerrshme dhe fëmijët ishin e ardhmja e vendit, prandaj unë thjesht iu bashkëngjita aktivitetit relaksues, bashkë me Gjeneralin Rejnhardt, Gjeneralin Ueslli Klark por, çdo media ruse publikoi foto kinse ne po talleshim me [viktimat e bombardimit].

Arkiv – Ish- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson- Viti 2000

Jeta Xharra: Pra, rusët i keqpërdorën ato foto dhe çfarë u përpoqën të bënin me këtë?

George Robertson: Ta përqeshin Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.

Jeta Xharra: A jeni pishman për atë veprim?

George Robertson: Aspak, as edhe një grimë. Ai veprim ka qenë një lidhje me fëmijët pas një mizorie që u kishte ndodhur në shkollë. Unë vetë jetoj në një fshat skocez ku në një shkollë dikush i armatosur kishte vrarë nxënës dhe mësues dhe e kam afër zemrës këtë gjë, prandaj kur isha në atë shkollë që kishte përjetuar diçka të ngjashme u preka shumë. Kam qenë sërish në atë shkollë, madje ma dhuruan një pikturë që e kishin punuar nxënësit, piktura paraqet lule mbi eshtrat e trupave të vrarë. E kam të varur pikturën në zyren time në parlament si rikujtim. Të gjithë vizitorëve në zyre u them ta shikojnë dhe do ta përmendi atë edhe kur të mbaj fjalimin para parakalimit. Ajo më ka lënë edhe mbresa të këqija por edhe shpresë. Kjo është ngjarja e Poklekut për mua. Histori shumë e tmerrshme, por edhe pak shpresë kur fëmijët qeshën bashkë me ne kur vendosëm hundat e kuqe atë ditë. Kjo është me pak fjalë.

Jeta Xharra: Çka ju fascinon juve? Përveç vizitës në Poklek, çka ju ka lënë përshtypje gjatë atyre viteve? Ju jetonit në Kosovë atëherë, prandaj më thoni se çka kanë qenë kujtimet më të mira të asaj kohe?

George Robertson: Ka pasur shumë kujtime të mira. Shteti po ringjallej, po zhvillohej dhe po i kthehej normalitetit. Vendi është zhvilluar jashtëzakonisht shumë.  Po u thosha ushtarëve mbrëmë ‘Vetëm pritni e shikoni ndryshimin sot në Kosovë krahasuar me vitin 99’.

Jeta Xharra: A keni përjetuar ndonjëherë ndaljen e rrymës apo jo? NATO sigurisht ka pasur rrymë pa ndërprerë.

George Robertson: Kjo gjë vërtet nuk më kujtohet.

Jeta Xharra: Nuk ju kujtohet?

George Robertson: Ne vinim, takonim personat eminentë dhe ktheheshim. Por, e shihnim se si po zhvillohet shteti, si po rritej e po bëhej tamam shtet. Trafiku ishte tregues i zhvillimit, sepse fillimisht nuk kishte pothuajse trafik fare.

Jeta Xharra: Shpresoj të mos ju marr mësysh, por dorën në zemër, dukeni shkëlqyeshëm dhe nuk keni ndryshuar asnjë pikë. Por ka njerëz që ju keni takuar atëherë e që nuk janë më në mesin tonë, dhe dua t’ju pyes  se a e keni takuar ndonjëherë Ibrahim Rugovën?

George Robertson: E kam takuar disa herë.

Jeta Xharra: Ne e dimë se çfarë ka qenë, por a ju ka lënë përshtypje juve? Çfarë ka qenë ai për mendimin tuaj?

George Robertson: Ka qenë si të thuash i pa mëkat. Përkundër faktit se përballej me forca të tmerrshme, arrinte të kishte njëfarë dinjiteti. Kjo ishte mahnitëse. Kam një kuti në shtëpi plot gurë… kristale.

Jeta Xharra: Ju paskeni marrë një kuti gurë nga ai, shumica kanë marrë vetëm nga një. A merrnit kristal secilën herë që e takonit?

George Robertson: Çdo herë.

Jeta Xharra: Sa shpesh e takonit?

George Robertson: Paj, në kuti i kam nja dy-trembëdhjetë kristale e gurë të llojllojshëm.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson përballë autores së emisionit KALLXOPernime, Jeta Xharra

Jeta Xharra: Çka mbani në mend nga takimet me të? Çfarë përshtypje merrnit nga ai?

George Robertson: Ishte njeri me autoritet të qetë. Përkundër gjithë atyre që kishte përjetuar. Kam takuar njerëz si Vaclav Havel i Çekisë, që kanë qenë të burgosur politikë por i kanë tejkaluar hidhërimet pa asnjë dëshirë për t’u hakmarrë. Dhe Rugova ka qenë i tillë. Përkundër çdo gjëje që i kishte ndodhur atij dhe popullit të tij, ai shikonte nga e ardhmja. Kjo ishte karakteristika e tij, ai donte që shteti i tij të normalizohej dhe jo të bëhej shtet hakmarrës, jo të bëhej shtet gjakmarrës për shkak të asaj që kishte përjetuar. Më kujtohet shumë kthjellët ai, me shallin përreth qafës, duke më dhënë sërish gurë, dhe unë mendoja ‘Ç’është kjo ore?’ por disa prej tyre ishin shumë të çmueshëm.

Jeta Xharra: Si dëshmi e kësaj që po thoni ju, është edhe vendimi kontravers në atë kohë, ku ai lejoi që kryeministri të ishte nga ajo që e quanim ‘krahu i luftës’. Pra, ishte ‘krahu paqësor’ si LDK-ja dhe partitë e dala nga UÇK-ja, dhe atij iu desh të bënte koalicion që ishte kontravers, sepse ndërkohë që shumë parti të krahut të luftës konsideroheshin që i ishin hakmarrë LDK-së ai megjithatë hyri në koalicion me Bajram Rexhepin, dhe kjo është një dëshmi e modestisë, ta lejosh një kundërshtar të madh në koalicion.

George Robertson: Por edhe gjykim i mençur. Mua më kujtohet Bajram Rexhepi.

Jeta Xharra: Desha të ju pyes edhe për të, çfarë ishte ai?

George Robertson: Ai më çoi në Novosellë gjatë vizitës sime të fundit, dhe takuam njerëz, fëmijë, të ardhmen e vendit. Ishte shumë bukur. Ata nuk e dinin se kush ishim ne.

Jeta Xharra: Bajram Rexhepi gurë nuk ju ka dhënë. Çka ju dha ai?

George Robertson: Nuk më duket se më ka dhënë diçka pos fjalëve të mira.

Jeta Xharra: Ai çfarë ishte?

George Robertson: Ishte një person i këndshëm, i qetë, serioz dhe absolutisht i përkushtuar për të ndërtuar një Kosovë multietnike. Të dy ishin persona të jashtëzakonshëm që besonin thellësisht se Kosova mund të jetë e bashkuar në paqe me fqinjët e saj dhe me veten.

Jeta Xharra: Ju i paskeni takuar këta dy persona që kanë vdekur. Ju keni pasur punë edhe me Agim Çekun. Çfarë ishte ai?

George Robertson: Njeri shumë i mirë, ushtar i mirë. Ai bëri tranzicion nga UÇK-ja, nga të qenit gjeneral i një ushtrie guerile në krijimin e Trupës Mbrojtëse të Kosovës, ku ai shfrytëzoi shkathtësitë dhe njohuritë e tij në mënyrë krejtësisht tjetër nga roli që kishte më herët. Prandaj, gjenerali Çeku është person të cilin e respektoj pa masë, sepse një tranzicion i tillë nuk është i lehtë por, ai e menaxhoi atë mirë.

Jeta Xharra: Një person tjetër me të cilin keni pasur punë, ka qenë Hashim Thaçi. Po ai çfarë ishte?

George Robertson: Person çehre-rëndë. Lider i lindur. Dinak, por kjo është cilësi e politikanëve të mirë, pra të jenë dinakë. Person që ka substancë. Kam qenë në promovimin e librit të tij autobiografik, që e pati në Londër. E mbajta një fjalim, ku thashë që ai duhet të shfrytëzojë talentet e tij të lidershipit për të krijuar një Kosovë të bashkuar, e cila të gjithë besojmë se do të ndodhë. Ai mori një ligjeratë prej meje atë ditë. Nuk është se unë jam kushedi kush dhe po i jap ligjeratë, por unë thjesht ia rikujtoja se ka detyrë shumë me peshë dhe akoma e kishte. Ishte person i ndërlikuar me cilësi të liderit gjigand. Dhe kushedi, ndoshta mund të kthehet në skenë sërish një ditë.

Jeta Xharra: S’kam qare pa ju pyetur se çka mendoni për faktin se liderët e UÇK-së përfshirë edhe Hashim Thaçin, të cilët janë çuar në Hagë për t’u gjykuar për krime të cilat po ashtu janë kryer gjatë kohës sa ju ishit në krye të NATO-s në Kosovë dhe kishit përgjegjësi për siguri, rend dhe parandalim të vrasjeve, pra, në Hagë po dalin dëshmitarë që po thonë se UÇK-ja i kishte sulmuar dhe kjo është arsyeja pse Thaçi është atje. Si ndjeheni lidhur me këtë?

George Robertson: Ky gjykim është një proces i cili do të shikojë çdo provë, dhe do të nxjerrë një konstatim. Unë kam pasë punë me zonjën Carla Del Ponte-n, që ishte në krye të Tribunalit Ndërkombëtar për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Jeta Xharra: E ajo çfarë ishte se?

George Robertson: Një zonjë shumë autoritative. Më bënte presion shumë të madh për të arrestuar dhe dorëzuar kriminelët e akuzuar për krime lufte. Dashuri me pak ashpërsi. Drejtësia nuk arrihet kollaj.

Jeta Xharra: Si iu përgjigjët asaj kur ju akuzoi se nuk po i dorëzoni të akuzuarit për krime lufte? Marrë parasysh eminencën tuaj, çfarë i thatë ju asaj?

George Robertson: Po bënim çdo përpjekje për të gjetur Radovan Karaxhiqin dhe Mlladiqin. Me të vërtetë po bënim çdo përpjekje.

Jeta Xharra: Por ajo nuk ju pyeste për ata dy!

George Robertson: Po, po, këta ishin dy kryesorët.

Jeta Xharra: A donte të dinte pse nuk po e dorëzoni Karaxhiqin e Mlladiqin, apo të dorëzoni të tjerë?

George Robertson: Edhe sa kam qenë Sekretar i Mbrojtjes në Angli ne dorëzonim të akuzuar tek tribunali.

Jeta Xharra: Si mund të dorëzonit Mlladiqin e Karaxhiqin nga Serbia kur nuk kishit mision në Serbi?

George Robertson: Nuk dinim se a ishin në Serbi, Bosnjë apo diku tjetër.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson përballë autores së emisionit KALLXOPernime, Jeta Xharra

Jeta Xharra: Si krahasohet Bosnja me Kosovën, meqë keni punuar edhe atje?

George Robertson: Ndërhyrja jonë ushtarake në Bosnje erdhi sa unë isha në opozitë në Angli…

Jeta Xharra: Ndërhyrje e vonuar ka qenë… A jeni pishman si politikë angleze pse nuk ndërhytë me kohë në Srebrenicë?

George Robertson: Gjithsesi që duhet të jemi pishman për këtë. Me pishmanllëk e kujtojmë mos-ndërhyrjen tonë atje. Nga mos-ndërhyrjet si ajo ne duhet të nxjerrim mësime, dhe në fakt kjo është një prej arsyeve pse ndërhymë në Kosovë. Pra, sepse e kuptuam që nuk kemi ndërhyrë me kohë në Bosnjë për të ndaluar dhunën. Ishte ardhja e lidershipit të ri, politikës së re në Francë, Gjermani dhe Angli, ishim ne që kishim protestuar për luftën e Vietnamit në rininë tonë, Joschka Fischer akoma më herët, dhe thamë njëzëri që ajo ka qenë luftë e gabuar, por kjo është luftë e duhur, dhe duhet të ndërmarrim veprime, para se bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë gjendjen, ne e dinim, ne i kishim informacionet nga terreni, ne i dinim operacionet e planifikuara të Millosheviqit, dhe kjo është arsyeja pse ndërhymë para se kamionët me refugjatë të shkonin në Maqedoni. Ndoshta, nëse do të kishim pritur edhe ndonjë javë bota do ta kuptonte se çfarë po bënim, por në kohën kur e bëmë konsiderohej kontravers. Në momentin kur kamionët me refugjatë hynë në Maqedoni bota e kuptoi dhe perceptimi ndryshoi.

Jeta Xharra: Për fund dua t’ju pyes lidhur me një kujtim tjetër që hasa në arkiva. Dëgjova një intervistë rishtazi ku një zëdhënës rus dhe një gjeneral rus folën për Zërin e Amerikës, ku thanë se po patrullojnë bashkë me amerikanët dhe se janë në bisedime me UÇK-në në Rahovec. A ju duket mahnitëse që trupat tuaja ishin në të njëjtin mision paqeruajtës me Rusinë në Kosovë, dhe se kanë patrulluar bashkë me amerikanët në Rahovec?

George Robertson: Po, kanë patrolluar bashkë. Nuk është mahnitëse, por rusët do të duhej ta vlerësonin këtë gjë, Vladimir Putini duhet ta vlerësojë këtë fakt. Ata u munduan që përmes Kosovës ta paraqesin kinse Perëndimi synoi agresivisht të shkëpusë një territor nga një shtet sovran, Jugosllavia. E në fakt, ata ishin bashkë me ne aty. Edhe një detaj. Ditën e Samitit NATO-RUSI në vitin 2002, u takova me Putinin në konferencë shtypi dhe ecëm bashkë dhe kaluam tre oficerë të Karabinierëve italianë, të cilët shquhen për uniforma të hatashme, dhe u ndala e i thashë “Z. President, këta janë oficerë Karabinerë… dhe i thashë “ata avancojnë nga policë fshati e deri në forca speciale, dhe janë treguar veçanërisht të dobishëm në Ballkan”. Dhe i thashë që medaljet që i bartin janë nga NATO për shërbimin në Ballkan, të cilat ua jap unë. I thashë që edhe ushtarët e tij rusë që kanë shërbyer në Kosovë dhe Bosnje do të marrin ato medalje. I thashë “Këtyneherë, ushtari rus po të mbante medalje nga NATO shkonte në burg”. Ai qeshi dhe tha “nuk do të shpëtonin vetëm me burg”.

Jeta Xharra: Por ata ishin pjesë e KFOR-it apo jo, dhe KFOR-i nuk përbëhej vetëm prej NATO-s.

George Robertson: Jo, jo, kishte edhe shtete të tjera. Kishte shumë shtete myslimane po ashtu. Sikurse SFOR-i në Bosnjë.

Jeta Xharra: Shumë interesante, sepse kjo dëshmon atë që paska thënë Putini se “nuk do të shpëtonin vetëm me burg”

George Robertson: Ai kështu shprehej, dhe buzëqeshte. Edhe pse sot nuk po buzëqeshet. Por duhet të nxjerrim mësim nga rasti i Kosovës. Ukraina po lufton me jetë për vlerat perëndimore dhe po lufton për ne.

Jeta Xharra: Robertson, a nuk jeni të dëshpëruar që Perëndimi nuk po e ndihmon Ukrainën ushtarakisht më shumë kur e dimë se çka është Rusia dhe çka do ajo? Kur e dimë se ata kanë hedhur helme në territor anglez. Megjithatë, Ukraina nuk po ndihmohet maksimalisht.

George Robertson: Është duke u ndihmuar në masë të madhe. Jemi duke ua dërguar armatimin që e duan dhe që u duhet për t’i larguar pushtuesit rusë. Ata nuk duan trupa tokësore.

Jeta Xharra: Po pse e ndihmuat Kosovën ushtarakisht por jo Ukrainën.

George Robertson: Në Kosovë, ne bombarduam Jugosllavinë nga ajri dhe në fund hymë me trupa tokësore kur forcat serbe duhej të tërhiqeshin.

Jeta Xharra: Por edhe ukrainasit do të gëzoheshin sikur t’i ndihmonit duke bombarduar objektiva rusë brenda Ukrainës.

George Robertson: Nuk janë assesi të krahasueshme këto dyja, por edhe nuk donim konflikt me Rusinë këto ditë. Rusët atëherë i dërguan tanket nga Tuzla në Kosovë.

Jeta Xharra: A po thoni që nuk doni konflikt me rusët, apo që nuk ia vlen që NATO të ndërhyjë për ukrainasit?

George Robertson: Nuk duam konfrontim. Nuk duam Luftë të Tretë Botërore mes NATO-s dhe Federatës Ruse. Po mundohemi të shmangim një luftë të tillë. Por Perëndimi është duke ia dhënë ukrainasve kapacitetet për ta mbrojtur veten dhe deri tani kanë vepruar mirë. Por, nuk po arrin sasi e mjaftueshme dhe Ukraina nuk po avancon në front. Materialet po ju arrijnë tashmë dhe në bazë të informacioneve që kemi kanë filluar të kenë avancime, të sulmojnë në Krime dhe të turpërojnë rusët ushtarakisht. Vladimir Putini po synon të ndalojë ecjen përpara të NATO-s, ndërkaq ne kemi dy anëtarë të rinj. Po synon të përçajë Evropën, ndërkaq ajo është më e bashkuar se kurrë. Po synon të ndajë Evropën nga Amerika, ndërkaq ato janë të bashkuara si hekuri. Pati thënë se mund ta marrë Ukrainën për 3 ditë, por kaluan 2 vjet e gjysmë dhe nuk ka avancuar asnjë pikë. Vladimir Putini ka treguar gjykim skajshmërisht të pasaktë, dhe tani ukrainasit po luftojnë me jetë për vendin, dhe po luftojnë edhe për ne.

Jeta Xharra: A duhet të shqetësohemi për rrezikun rus dhe ndikimin e tyre në Ballkan?

George Robertson: Po, duhet, patjetër.

Jeta Xharra: Atëherë, si duhet ta luftojmë këtë?

George Robertson: Duhet ta luftojmë kolektivisht dhe bashkërisht. Duhet ta kuptojmë se ata dinë të sulmojnë kibernitikisht, me sabotazh, me ndërhyrje në zgjedhje, e keqinformim dhe dezinformim, dhe ne duhet t’i ndalojmë këto kur i hasim.

Jeta Xharra: A ka ndikim, propagandë dhe dezinformim rus në Ballkan?

George Robertson: Jo vetëm në Ballkan, por kudo që munden.

Jeta Xharra: Po a ka në Ballkan? Kur e dimë që institucionet tona janë të brishta.

George Robertson: Disa vende të Ballkanit janë bërë si park lojërash për ndikimin rus. Më kujtohet kur ish-kryeministri i Maqedonisë më pati thënë se ambasadori i Rusisë atje i kishte thënë: “Po hytë në NATO do të jeni në shënjestrën tonë!” e ai i kishte thënë “Unë apo shteti im?” Ai i kishte thënë “Të dytë!” Ata flasin troç për këtë temë dhe janë të drejtpërdrejtë lidhur me ambiciet e tyre për Ballkanin. Nuk besoj se kjo vlen vetëm për Ballkanin, por për shumë vatra të tjera. Prandaj, fitorja e Ukrainës është shumë me rëndësi për të gjithë ne.

Jeta Xharra: Robertson, ju faleminderit për vizitën tuaj, për kthimin në Kosovë dhe bisedën me mua. Paçit shëndet dhe na ardhshi sa më shpesh!

George Robertson: Faleminderit për mundësinë.