Isa Mustafa për kryeministrin Kurti: “Nuk po lodhet shumë as për ekonominë, investimet, shkollat, spitalet...”

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deklaratës që e ka bërë sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një konferencë për media, ku ka thënë se opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse, sipas tij, do i humbnin. Sipas Kurtit, as Qeverisë nuk i konvenojë zgjedhjet “sepse zhduket opozita”.

Mustafa ka kritikuar ata që sipas tij, kanë përdorur deklaratën që e kishte dhënë dikur ai se “do i fitoj zgjedhjet me duar në xhepa” për të përshkruar fitoren e mundshme të Kurtit dhe LVV-së në zgjedhjet eventuale të parakohshme.

Në këtë reagim, Isa Mustafa ka përmendur disa prej punëve që i ka kryer gjatë mandatit të tij në krye të Prishtinës, kur edhe e kishte bërë deklaratën e famshme.

“Në mandatin që kisha dhënë këtë deklaratë në Prishtinë kishim ndërtuar mbi 25 shkolla në qytet dhe fshatra, mbi 30 terrene sportive e shumë qendra mjekësore, kishim filluar me të madhe gjelbërimin e qytetit, punohej në përfundimin e Fabrikës së ujit në Shkabaj, në investimet në kogjenerim për ngrohje të qytetit nga TC Kosova B, punohej në ndërtimin e Sheshit Ibrahim Rugova dhe atij Zahir Pajaziti, përfundohej rruga B, që është shndërruar tani në qendër alternative të Prishtinës, përfundoheshin kolektorët dhe ndërtimi i rrugëve mbi ta në Lakrishtë dhe te banesat sociale, trajtohej unaza e jashtme e Prishtinës…. Këto nuk bëheshin me duar në xhepa, siç mendojnë disa sot”-ka shkruar Mustafa.

Në reagimin e tij ai e ka akuzuar kreun e ekzekutivit duke thënë se “nuk po lodhet shumë”.

“Unë besoja në punët që i bënim. Atëherë u bashkuan të gjithë me z. Kurti kundër LDK-së; të gjithë këta që sot duan ta rrëzojnë. Deklarata e z. Kurti korrespondon me mënyrën se si erdhi në pushtet. Qartë se ai nuk po lodhet shumë as për ekonominë, investimet, shkollat, spitalet… në vend të kësaj po i sjell në gisht analfabetët funksional dhe kopjuesit e tij politik me retorikë propaganduese milimetrike”- është shprehur ish kreu i LDK-së.

“Askush nga ta nuk shtron pyetjen se çfarë po punon Albini e ku po i mban duart, por çfarë thotë Albini, i cili e ka kuptuar mirë logjikën e opinionit. Prandaj para se të ndërrohet Albini, duhet të ndryshojë opinioni”-ka shtuar ai.