Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

IPK gjen dosje të të arrestuarve që nuk përmbajnë aktvendimin mbi ndalimin

Procedurat e arrestimit të të dyshuarve përcaktohen në bazë të ligjeve përkatëse, të cilat kërkohet të respektohen nga çdo palë e përfshirë në secilin rast.

Dihet që pas arrestimit të personave të dyshuar, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit, të dyshuarit i sistemon përkohësisht në qendrat e ndalimit.

Pas kësaj, prokurori kompetent e ka për detyrë që të lëshojë aktvendimin mbi ndalim, për të caktuar masën e ndalimit për 24 ose 48 orë.

Ky aktvendim shërben më pas për zyrtarët policorë që janë në administrim dhe menaxhim të qendrave të ndalimit edhe t’i pranojnë personat e arrestuar.

Inspektorati Policor i Kosovës, gjatë verifikimit të prezencës së aktvendimit mbi ndalimin në dosjen e secilit të ndaluar, ka gjetur se në katër raste mungon ky dokument.

IPK ka treguar se këto raste janë gjetur në stacionet policore në Mitrovicën e Jugut, në Suharekë, në Deçan dhe në Rahovec.

Pra, IPK ka njoftuar se në dosjet e katër personave të ndaluar në këto katër qytete mungon dokumenti i aktvendimit për ndalim.

Lidhur me këtë çështje, IPK ka rekomanduar që zyrtarët përgjegjës të qendrave të ndalimit të sigurohen që si pjesë të dosjes së të ndaluarit ta bashkëngjisin edhe aktvendimin mbi ndalim, si akt i lëshuar nga autoriteti kompetent.

Ky është rekomandimi i dytë që është paraqitur në raportin e menaxhimit të procedurave të arrestimit dhe të ndalimit, që IPK ka pasur për zyrtarët policorë.

Ky inspektim kishte filluar më 7 qershor 2022 dhe kishte përfunduar më 15 qershor 2022.

Inspektimi për menaxhimin e procedurave të arrestimit dhe të ndalimit është i përqendruar në vlerësimin e kryerjes së detyrave nga stacionet (qendrat e ndalimit) gjatë periudhës dy vjeçare, 2021/2022 dhe gjendjen aktuale.

IPK ka thënë se gjatë këtij inspektimi është aplikuar metodologji adekuate inspektues, që sipas IPK-së ofron mundësi për të siguruar informacionin e nevojshëm me interes të nxjerrjes së opinionit objektiv mbi proceset e fokusuara.

Për këtë inspektim, IPK ka thënë se ka zhvilluar takime, intervista me 21 përgjegjës të qendrave të ndalimit në stacionet policore dhe me 20 persona të ndaluar.

Po ashtu, sipas IPK-së janë kryer kontrolle fizike të kushteve fizike dhe të sigurisë së qendrave të ndalimit, dosjeve të personave të ndaluar dhe mirëmbajtës së tyre.

Gjithashtu, IPK ka thënë se për të ardhur deri në përfundimin e raportit final, nga ana e tyre janë siguruar dokumente fizike, siç janë raporte vjetore të qendrave të ndalimit, fotografi të kushteve fizike dhe të sigurisë në këto qendra, kopje të dosjeve të të ndaluarve dhe dëshmi të tjera.