IPK dhe Prokuroria e Shtetit japin detaje për hetimin ndaj truprojave të Presidentit

Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit përmes një njoftimi kanë bërë të ditur se janë duke trajtuar incidentin në lidhje me veprimet e policëve të mbrojtjes së afërt të Presidentit të Kosovës.

“Si Prokuroria ashtu edhe Inspektorati Policor trajtojnë shumë seriozisht çdo pretendim të sjelljes së kundërligjshme dhe do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në njoftimin e IKP-së.

Tutje IPK ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët që mund të posedojnë informacione shtesë lidhur me këtë rast t’i përcjellin të njëjtat duke siguruar konfidencë të plotë me rastin e trajtimit të tyre.

Një qytetar është ndaluar  dje nga truprojat e presidentit Hashim Thaçi e më pas është arrestuar nga Policia dhe është dërguar në stacion policor.

Qytetari Veron Hasani, për të cilin u tha se ishte aktivist i LVV-së, ishte ndaluar pasi që e kishte quajtur hajn Presidentin Thaçi teksa ky po mbante një konferencë për media në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Teksa policët po e çonin në veturë Veron Hasanin dy qytetarë të tjerë tentonin t’i pengonin policët, duke kërkuar prej tyre se cila ishte arsyeja e arrestimit të tij.

VIDEO: Arrestimi i qytetarit që e quajti hajn presidentin Thaçi