Flamuri i Gjermanisë, Foto: Pixabay

Inteligjenca gjermane pret aktivitete pro-ruse më 9 maj

Shërbimi i brendshëm i inteligjencës gjermane pret aktivitete pro-ruse në mbarë vendin të hënën, më 9 maj, ditë kjo kur Rusia tradicionalisht përkujton fitoren e ushtrisë sovjetike ndaj Gjermanisë naziste.

Kjo është “një datë ideale për t’u shfrytëzuar për propagandën ruse”, tha presidenti i agjencisë së brendshme të inteligjencës gjermane, Thomas Haldenwang, për edicionin e së dielës të gazetës Die Welt të parë paraprakisht nga agjencia dpa.

“Në këtë ditë, aktivitete pro-ruse si parada me makina dhe demonstrata priten në të gjithë Gjermaninë, ndoshta duke treguar edhe simbolin “Z” të ushtrisë pushtuese ruse në Ukrainë”, tha Haldenwang.

Përdorimi i shkronjës “Z” si simbol konsiderohet një shenjë miratimi për luftën ruse.

Autoritetet e sigurisë në shtetet federale po përgatiten gjithashtu për demonstrata dhe aktivitete pro-ruse.

Sipas informacioneve nga shtetet federale, nuk ka indikacione për një gatishmëri të shtuar për të ushtruar dhunë nga ana e demonstruesve pro-rusë.

“Askush nuk duhet të deklarojë solidaritet me sundimin kriminal të presidentit rus, Vladimir Putin”, tha ministri i Financave Christian Lindner në edicionin e së shtunës të gazetës Neue Osnabrücker Zeitung.

Të dielën, disa vende përkujtojnë dorëzimin pa kushte të “Wehrmacht-it” gjerman në Luftën e Dytë Botërore dhe çlirimin e Evropës nga nazizmi./REL