Ilustrim

Zhveshja e sektorit të Sigurisë - Inteligjencës nga ndikimi i politikës në Kosovë

Sektorët e sigurisë dhe ato të inteligjencës të shteteve demokratike në parim kanë një detyrë thelbësore: Analizimin dhe shfrytëzimin e informacionit në mbështetje të zbatimit të ligjit, të sigurisë kombëtare, ushtrisë dhe objektivave të politikës së jashtme dhe ekonomisë.

Këto shërbime të sigurisë dhe inteligjencës sigurojnë informacione që nuk janë të disponueshme dhe të dukshme për publikun, informacione që mundësojnë të paralajmërojnë Qeveritë e tyre për kërcënime dhe mundësi reale për kërcënime.

Këto agjencione janë të parapara për funksionim dhe zbatimin e ligjeve të bazuara në demokraci ku agjencitë e sigurisë dhe inteligjencës luajnë një rol jetik në mbështetje të Qeverisë në politikat e saj të mbrendshme, të mbrojtjes dhe politikave të jashtme duke furnizuar dhe analizuar informacionet të inteligjencës përkatëse dhe për të kundërvepruar pas marrjes së informacionit ndaj kërcënimeve të specifikuara.

Nuk i duhet shumë kohë një të huaji që viziton Kosovën, qoftë edhe për herën e parë të e kupton se qytetari i thjeshtë në Kosovë  ka mbërri në pikën ku definitivisht është bindur se:

Politikanët në Kosovë përdorin burimet e informacionit nga një pjesë e madhe e institucioneve të sigurisë dhe sektorët mbështetës të inteligjencës për të mundur kundërshtarët politikë dhe për t’i shërbyer një agjende politike të mbrendshme të partive politike. Kjo mundësi e mbledhjes së informacionit për të diskredituar ose ndikuar figurat dhe lëvizjet e brendshme të kundërshtarëve politik po shqetëson në masë të madhe qytetarët dhe njëkohësisht po rrisin pasigurinë dhe besimin ndaj liderëve vendor, besimin ndaj partive politike si dhe në përgjithësi ndaj Institucioneve shtetërore.

Rasti i fundit në Presidencën e Kosovës që prodhoi një incident në sferën e sigurisë – i njohur tash më si ”Hapja e kasafortës së sigurisë”, na bën të besojmë se një pjesë e strukturave të Sigurisë, Ligjvënësit dhe sistemi i Drejtësisë në vendin tonë po kalojnë nëpër një moment ku kanë shpërfaqur publikisht involvimin dhe ndikimin e thellë nga politika sidomos nga liderët dhe partitë politike në ekzekutiv e që gjithë kjo po e pamundëson që incidenti të hetohet, të analizohet si dhe të trajtohet në mënyrë të pavarur.

Nëse shikohet nga ana profesionale – nga një këndvështrim i sigurisë shihet kjartë se duke filluar nga legjislacioni, i gjithë sistemi është shumë i mangët sa i përket mbajtjes apo delegimit të përgjegjësisë ndaj vendit të punës në lidhje me ligjet dhe protokollet e sigurisë. Gjithashtu mungesa e deklarimit të Inspektorit të përgjithshëm të AKI-së në lidhje me incidentin tregon se i tërë sistemi i sigurisë ishte kompromentuar dhe këtë e vërtetojnë më së miri deklarimet publike individuale të liderëve politik, të institucioneve ekzekutive ku nxjerrin në sipërfaqe se shumica e stafit dhe jo vetëm në Presidencë, por dhe në shumicën e sektorit publik duke filluar nga niveli më i ulët i menaxhimit e deri në ekzekutiv, stafi civil dhe ai politik nuk e ka të rregulluar çështjen e trajnimeve bazë për vetëdijesim në siguri, trajnimet bazë për ruajtjen e informacionit si dhe protokollin e sigurisë gjatë procesit të përzgjedhjeve për punësim.

Deklarata e zbrazët e prokurorisë në lidhje me incidentin ishte aq e cekët sa që vërehej kjartë se të gjitha palët e involvuara u mjaftuan me këtë deklaratë të prokurorisë dhe se ishin të interesuara që ky incident të harrohet sa më shpejt, dhe për të i ftohur kokën qytetarit me akull u gjet viktima e radhës: Drejtori i AKI-së, i cili u shkarkua në heshtje pa u kuptuar arsyeja e vërtetë e shkarkimit të tij dhe në fund u pajtuam të gjithë sepse qytetari i Kosovës heshti.

Edhe ky shkarkim sit ë gjitha shkarkimet tjera që kanë ndodhur në AKI dhe në Policinë e Kosovës në këto vitet e fundit e vërtetojnë faktin se politizimi i sektorit të sigurisë pamundëson një stabilitet të Institucioneve më të ndjeshme në vend dhe mundet shumë shpejt të prodhon pasoja për vendin, pasoja që vështirë munden të riparohen:

  1. Hapë rrugën që shërbimet inteligjente të vendeve që nuk kanë qëndrim miqësorë ndaj vendit tonë që ato për interesa të tyre të operojnë më lehtë duke rrezikuar apo edhe dëmtuar jo vetëm integritetin e vendit tonë, por rrezikon edhe prezencën e vendeve mike që na kanë përkrahur dhe po na përkrahin për më shumë se 20 vite në ndërtimin e shtetit tonë;
  2. Qytetari – Sovrani fillon të humb besimin në politikë bërësit – Qeveritë e veta dhe, duke mos ditur si të vepron, edhe ashtu i hutuar dhe i dërmuar bëhet pre shumë e lehtë e shërbimeve të huaja të cekura më lartë dhe pastaj pasojat mund të jenë totalisht të pariparueshme.

Raportet ndërkombëtare, por edhe ato nga vendet mike, në shumicën e rasteve kanë prodhuar vërejtje në lidhje me sektorin e sigurisë: Departamenti i Shtetit të SHBA-së në një nga raportet veta për vitin 2020    ( https://www.state.gov/reports/2020-investment-climate-statements/kosovo/ ) thekson/citat:

”Pavarësisht se ishte një nga vendet më të reja dhe më të varfra të Evropës, Kosova ka regjistruar norma pozitive të rritjes ekonomike, mesatarisht pothuajse katër përqind, gjatë dekadës së fundit. Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por ky potencial kufizohet nga dështimi për të adresuar disa çështje serioze strukturore përfshirë: integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global; paqëndrueshmëria politike dhe ndërhyrja në ekonomi; korrupsioni; një furnizim jo i besueshëm i energjisë; një sektor i madh informal; vështirësi në krijimin e të drejtave pronësore, dhe sundimin e ashpër të ligjit, duke përfshirë një mungesë të dukshme të zbatimit të kontratës. Aftësia e vendit për të mbështetur rritjen ekonomike mbështetet në mënyrë të konsiderueshme në mbështetjen financiare ndërkombëtare dhe remitancat”.

Gjithashtu Këshilli Këshillëdhënës për Siguri i SHBA-së në raportin e tij për Siguri dhe Masat mbrojtëse, në raportin vjetor të prodhuar në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Sigurisë në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin ( https://www.osac.gov/Content/Report/fde86eb1-52a0-47aa-bc44-190e3de705a5 )/citat:

“1. Krimi i organizuar është i pranishëm në Kosovë, duke rezultuar herë pas here në konfrontime të dhunshme midis organizatave rivale. Shumica e incidenteve janë të motivuara politikisht dhe nuk drejtohen ndaj turistëve apo të huajve”

  1. Korrupsioni si dukuri është i perceptuar dhe aktualisht është i përhapur në Kosovë. Zyrtarë të nivelit të lartë publik janë akuzuar për ryshfet, reketim, frikësim dhe forma të tjera të korrupsionit. Korrupsioni është i përhapur dhe pasqyron një mentalitet të “kostos së të bërit biznes” dhe është i përhapur në gjithë vendin. Përpjekjet për anti-korrupsion vuajnë nga mungesa e kohezionit, veprimit të fuqishëm të ligjit dhe masave pasuese duke përfshirë ndjekjen penale.

E gjithë kjo na bën të kuptojmë se pjesa politikëbërse në Kosovë nuk kanë interes në implementimin e sundimit të ligjit dhe se nuk është e interesuar për një stabilitet të vendit, dhe për këtë arsye qytetari si hallkë e fundit e shoqërisë Kosovare paguan koston përfundimtare: Pjesa më vitale e qytetarëve të Kosovës – rinia, detyrimisht largohet nga vendi për të provuar fatin me shpresë për një jetë më të dinjitetshme.

A mundemi ne si shoqëri në periudhë tranzitore të i zhvillojmë këta sektorë në funksionim të ligjeve të bazuara në demokraci?

Sistemi i Sigurisë dhe ai i Drejtësisë në Kosovë kanë përbrenda shumë individ të sinqertë dhe të zellshëm për punën që bëjnë – gra, burra të rinj e të reja që e duan vendin, por të cilët fatkeqësisht kanë qenë dhe janë të izoluar nga politika dhe të pafuqishëm për të bërë ndryshimin por që në masë të madhe u mungon edhe përkrahja nga qytetari i thjeshtë dhe për këtë arsye Sistemi i sigurisë dhe ai i Drejtësisë në Kosovë përfundimisht kanë nevojë për një formatizim të thellë, sidomos në pjesën e menaxhmentit të lartë, dhe ky formatizim i thellë do të duhej që të gjenerojë struktura të kalibruara mirë të llogaridhënies që këto struktura më pas do të bëheshin një barrierë e pakalueshme për të gjithë ata politikanë, grupacione politike, apo individ të cilët kanë në fokus të izolojnë apo të i përvetësojnë agjensitë e sigurisë dhe inteligjencës për interesa individuale dhe interesa të grupimeve politike.

Fatkeqësisht është shumë e dukshme se ne si shoqëri nuk po duam t`ia pranojmë vetes që në të kaluarën detyrat kryesore të pushtetit, parlamentit, komiteteve, detyrat e sektorit të drejtësisë, detyrat e sektorit të sigurisë dhe shërbimet e inteligjencës nuk ishin vetëm për të mbrojtur shtetin dhe rendin kushtetues por edhe për të mbrojtur udhëheqësit autoritarë nga qytetarët dhe se në atë kohë shërbimet e sigurisë dhe ato të inteligjencës kishin vetëm një funksion: funksionin shtypës dhe frikësues ndaj qytetarit, dhe si të tilla për kohën që jetojmë janë të papranueshme. Edhepse përmes proceseve të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare (shteteve demokratike) po kërkohet një përpjekje më e madhe për të reformuar mentalitetin dhe ndarjen nga mendësia e shërbimeve të vjetra të sigurisë dhe transformimin në një shërbim demokratik të sigurisë dhe nga një mjet shtypjeje në një mjet modern të politikës së sigurisë, si proces po duket i pamundshëm për t`u implementuar. Me një sistem të Drejtësisë të korruptuar dhe me organe të sigurisë të ndrydhura nga politika, dhe pa vullnetin qytetar, i cili është shuar thuajse tërësisht, shoqëria – qytetari Kosovar duhet ta kupton se është shumë brengosëse dhe shqetësuese kur shohim se Kosova si shtet i ri, si shoqëri e re në tranzicion nuk ka vullnet për transformimin e vet në një demokraci të vërtetë.

Mbikëqyrja demokratike e shërbimeve të sigurisë, të inteligjencës dhe atyre të drejtësisë nënkupton krijimin e mirëfilltë të organeve profesionale parlamentare të pavarura si dhe mbikëqyrje apolitike nga ekzekutivi.

Shteti i Kosovës duhet që në mënyrë urgjente të fillon me procesin rehabilitimit të Sektorit të Sigurisë dhe Drejtësisë:

  1. Duke u bazuar në praktikat e mira ndërkombëtare të vendeve me demokraci të lartë, duke filluar me ndërrimin e legjislacionit, duke plotësuar hapësirat e mëdha ligjore, të rritë bashkëpunimin e ngushtë me shoqërinë civile dhe me sektorin privat në monitorim dhe ngritje të kapaciteteve.
  2. Të praktikon paraqitjen e shërbimeve sigurisë dhe të inteligjencës në llogaridhënien publike me çka do të mundësohej rritja e llogaridhënies dhe transparencës me çka do të bëhej krijimi i hapësirës për të u bërë pjesë e debatit publik, por duke mos harruar asnjëherë rrezikun që aktorët politikë në këto debate do të provojnë të përdorin kontrollin e shërbimeve për të promovuar interesat e tyre partiake.
  3. Ligjin për Lustrim – Të rishikohet Ligji për dy shtetësi në rastet e përzgjedhjes së individëve të punësuar, me theksim të veçantë në sektorin e inteligjencës
  4. Të përshpejtohet procesi i Vetingut duke mos u ndalur vetëm në zyrtarët publik, por njëkohësisht të zgjerohet gama e veprimit duke prekur të gjithë individët potencialisht të involvuar në shpëlarjen e pasurisë së zyrtarëve publik në periudhën e pasluftës.
  5. Në këtë proces të mundësohet krijimi i një ekipi profesional nga shoqëria civile për të monitoruar dhe mundësuar që i gjithë procesi të zhvillohet në transparencë dhe pa ndikim politik.

Në këtë mënyrë i gjithë procesi i zhveshjes nga politika do të mundësonte që shteti të luan rolin e kujdestarit, ndërsa çështjet e rëndësishme në aspektin profesional do të i lihen në diskrecionin e profesionistëve, për të shtyrë vendin drejt një shteti demokratik në të cilin çështjet e rëndësishme i nënshtrohen normalitetit procedurave demokratike të vendimmarrjes.

Strukturat e sigurisë dhe inteligjencës dhe sistemi i Drejtësisë duhet të luajnë një rol jetësor në mbështetjen e Qeverisë në politikat e saj të brendshme, të mbrojtjes dhe të politikave të jashtme duke furnizuar dhe analizuar informacione dhe përmes përpunimit – analizimit të këtyre informacioneve  të mundësohet kundërvimi ndaj kërcënimeve të specifikuara përmes informacionit. Është thelbësore që dhe zyrtarët që kryejnë këto role janë nën mbikëqyrje demokratike nga politikanë të zgjedhur, në vend se të japin llogari vetëm ndaj vetvetes. Në një shtet normal demokratik skandalet e natyrës që ndodhin në Kosovë, skandale të njëpasnjëshme me Sistemin e Drejtësisë dhe atë të Sigurisë normalisht Qeveritë bien – dhe si akt moral zakonisht japin dorëheqje, si dhe ka shumë raste edhe kur thirren në përgjegjësi penale sepse thyerja e protokolleve të sigurisë dhe tendenca e keqpërdorimit të sistemit të sigurisë dhe atij të drejtësisë për interesa individuale apo grupore si të tilla llogariten vepra të rënda penale që rrezikojnë Sigurinë nacionale – Integritetin dhe sovranitetin e shtetit dhe për këtë arsye dënimet janë shumë të ashpra.

Zhveshja e sektorit të Sigurisë dhe Inteligjencës nga ndikimi i politikës duhet të filloj dje!

 

 

(Autori është këshilltar i pavarur për siguri)