Inspektorati i Punës tregon disa nga aktivitetet kryesore, realizoi rritje të të hyrave në vitin 2022

Inspektorati i Punës thotë se në vitin 2022 të hyrat e tij kanë qenë thuajse 172 mijë euro më shumë se në vitin 2021.

Gjithsej të hyrat kanë qenë mbi 581 mijë euro. Prej tyre, 70% gjatë 6-mujorit të dytë.

IP ka treguar edhe disa nga aktivitetet kryesore të Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përbashkëta gjatë vitit 2022.

Në korrik thuhet se është ndaluar përdorimi i automjeteve zyrtare 24 orë, kështu duke ulur shpenzimet e karburantit për dyfish në muaj dhe në të njëjtën kohë është rritur numri i inspektimeve.

“Në muajin qershor, 2022 të gjitha automjetet zyrtare aktive të Inspektoratit të Punës kanë filluar të sigurohen. Me këtë veprim është eliminuar numri i gjobave në trafik që u janë shqiptuar automjeteve zyrtare të AEIP-së që nuk kanë qenë të siguruara” – njofton Inspektorati.

Përveç këtyre, IP tregon se në gusht janë furnizuar të gjitha zyrat e AEIP-së me material për zyre dhe kështu janë ngritur kapacitetet e punës.

Gjatë 2022-ës zyrtarët e IP-së janë furnizuar me kompjuterë të punës të rinj, në nëntor janë rinovuar pothuajse të gjitha zyrat e AEIP-së dhe janë përmirësuar kushtet e punës duke vendosur kondicioner të rinj, dhe duke servisuar automjetet zyrtarë.