Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

IKShPK: Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet, respektoni masat dhe vaksinohuni!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për kujdes dhe mosgrumbullim për shkak se nga fillimi i vitit ka filluar rritje e rasteve pozitive me COVID-19 e veçmas me shfaqjen e variantit të ri Omicron.

Sipas IKSHPK-së, situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj kanë apeluar tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë.

Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

“Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Gjithashtu, kanë apeluar për vaksinimin me dozën pērforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare.

“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare”, thuhet mes tjerash në komunikatën e IKShPK-së.