Foto: BBC

"IKEA" i pezullon përkohësisht shërbimet tregtare në Rusi dhe Bjellorusi

Kompania e mobileve, “IKEA” ka njoftuar se po i ndalon përkohësisht shërbimet tregtare në Rusi dhe Bjellorusi.

“Lufta tashmë ka një ndikim të madh njerëzor. Ajo gjithashtu po rezulton në ndërprerje serioze në zinxhirin e furnizimit dhe kushtet e tregtimit. Për të gjitha këto arsye, grupet e kompanive kanë vendosur t’i ndalojnë përkohësisht operacionet e IKEA në Rusi, “tha ajo.

“IKEA” tha se ka vendosur t’i ndalojë të gjitha eksportet dhe importet brenda dhe jashtë Rusisë dhe Bjellorusisë dhe t’i ndalojë të gjitha operacionet e shitjes me pakicë dhe industrisë “IKEA” në Rusi. Kompania i ka 17 dyqane në Rusi.

“Këto vendime kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në 15,000 punëtorë të IKEA. Ambiciet e grupeve të kompanive janë afatgjata dhe ne kemi siguruar punësim dhe stabilitet të të ardhurave për të ardhmen e afërt dhe u ofrojmë mbështetje atyre dhe familjeve të tyre në rajon”, thuhet në deklaratë.

Kompania njoftoi gjithashtu ndarjen e një donacioni të menjëhershëm prej 20 milionë euro për ndihmë humanitare për ata që janë zhvendosur me forcë si rezultat i konfliktit në Ukrainë, në përgjigje të një apeli urgjent nga agjencia e OKB-së për refugjatët./CNN