"Idiotët e dobishëm të Vladimir Putinit"

Shumë politikanë evropianë po dështojnë të përballen me Rusinë.

Në fillim të majit, ambasadori i Rusisë në Gjermani organizoi një festë për ta nderuar fitoren sovjetike në Luftën e Dytë Botërore. Të ftuarit në ambasadë, një kolos i epokës së Stalinit që zë më shumë territor gjerman se sa ndërtesa e parlamentit aty pranë, përfshinin një mori personalitetesh. Shefi i fundit i Gjermanisë Lindore komuniste, Egon Krenz, tani 86 vjeç, u përzie nën llambadarë me Gerhard Schröderin, kancelar i Gjermanisë së bashkuar nga viti 1998 deri në 2005 (dhe së fundmi, një lobist për kompanitë ruse të energjisë). Tino Chrupalla, bashkë-udhëheqës i Alternativës për Gjermaninë (AFD), një parti e ekstremit të djathtë, kishte veshur një kravatë me ngjyrat e Federatës Ruse.

Festa fitoi pak përbuzje në shtypin gjerman, por pak njoftim tjetër. Shtatëmbëdhjetë muaj pas luftës së Rusisë ndaj opinionit publik të Ukrainës këtu, në mbarë Evropën, shumica dërrmuese e sheh Rusinë si një agresor që duhet shmangur dhe Ukrainën si një mbrojtëse që meriton ndihmë. Cilado qoftë pesha e tyre në të kaluarën, furnizuesit e ndryshëm të ndikimit rus tani janë zvogëluar. Gerhard Schröder, për shembull, kryesoi bordin e tubacioneve tashmë të mbyllura Nord Stream që e varën Gjermaninë nga gazi rus. Verën e kaluar Rusia i mbylli gypat, të cilët diversantët misteriozë më pas i hodhën në erë. Ish-kancelari është përjashtuar nga klubet, është përjashtuar nga funksionet e Partisë së tij Socialdemokrate (megjithëse ai mbetet anëtar partie) dhe i janë hequr objektet e zyrave të ofruara nga qeveria. Sa i përket zotit Chrupalla, komoditeti i liderit të AFD-së me Rusinë nuk i mërziti vetëm tabloidët gjermanë. Mesazhet e zbuluara nxorën në pah shqetësimin midis deputetëve të partisë së tij.

Megjithatë, edhe nëse përpjekja e Rusisë për të projektuar fuqi bindëse në të gjithë Evropën nuk ka pasur sukses, as nuk ka dështuar plotësisht. Një nënkulturë e asaj që gjermanët e konsiderojnë si Putinversteher – simpatizantët që e “kuptojnë” liderin rus Vladimir Putin – lulëzon jashtë rrjedhës kryesore. Në të gjithë Evropën, pëshpëritja e tyre formon një lajtmotiv në zhurmën e ankesave për problemet në dukje të palidhura, të tilla si inflacioni, shërbimet publike të rrënuara, rregulloret e ashpra dhe frika nga imigracioni. Qaramanët sapo kanë filluar ta sfidojnë shkallën e bujarisë së qeverive të tyre ndaj Ukrainës, e cila deri në shkurt të këtij viti arriti në më shumë se 60 miliardë euro ndihmë ekonomike dhe ushtarake nga Brukseli dhe anëtarët individualë të BE-së (dhe 70 miliardë euro nëse Britania është shtuar, një shumë afërsisht e barabartë me kontributin e Amerikës). Mirëpo nëse lufta e Ukrainës zgjat shumë ose shkon keq, janë të shumtë ata që presin me padurim për ta fajësuar njëri-tjetrin.

Spektri i idiotëve të dobishëm të Evropës, një term i luftës së ftohtë për aleatët e padashur të komunizmit, është i gjerë. Në politikë, partitë në të djathtën dhe të majtën ekstreme nuk pajtohen për shumë gjëra; por mbi Ukrainën, këto ekstreme shpesh janë puqur duke kërkuar një “paqe” të menjëhershme që në fakt do ta shpërblente agresionin rus me tokë. Në media dhe akademi, intelektualët ende duken të lumtur teksa i shpërfillin provat e qëllimit perandorak të Rusisë dhe të zhvendosjes së saj drejt kriminalitetit, dhe në vend të kësaj e vajtojnë ngatërresën evropiane në atë që ata e analizojnë si një luftë ndërmjetëse midis Amerikës dhe Rusisë, ose ndoshta, duke spekuluar ende më plot madhështi, midis Amerikës dhe Kinës. Dhe në botën e biznesit, pavarësisht raundeve të shumta të sanksioneve perëndimore, Rusia ka ende shumë “miq”.

Mundësuesit e Putinit përfshijnë disa qeveri evropiane. Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë që nga viti 2010, ka qenë më i dukshmi. Njeriu i fortë populist e ka kritikuar vazhdimisht mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe i ka vazhduar importet e gazit rus nga Hungaria. Qeveria e tij gjithashtu refuzon ta lejojë transitin e armëve të dhëna Ukrainës nga anëtarët e tjerë të NATO-s dhe BE-së të Hungarisë. Austria fqinje, në heshtje, por në mënyrë të barabartë fitimprurëse, e ka përballuar kryesisht luftën, gjithashtu, duke e përmendur mosanëtarësimin e saj në NATO dhe rolin e vetë-emëruar si urë midis Lindjes dhe Perëndimit, duke ofruar pak ndihmë për Ukrainën, edhe pse tregtia e saj me Rusinë është rritur.

Greqia, një tjetër anëtar i BE-së, është në përputhje me sanksionet e BE-së, por është tërhequr në shtrëngimin e mëtejshëm të atyre për transportin e naftës ruse, ndoshta sepse kompanitë greke ndodh që të fitojnë aq shumë nga tregtia. Vetëm kohët e fundit dhe nën presionin e madh amerikan, Qiproja, një parajsë financiare në det të hapur, mbylli rreth 4,000 llogari bankare lokale të mbajtura nga rusët. Duke u përballur me më pak presion, vendet jo-anëtare të BE-së, të tilla si Turqia dhe Serbia as nuk shqetësohen ta maskojnë shërbimin fitimprurës t prapa dyerve që i ofrojnë Rusisë.

Disa shtete kanë shtrembëruar qëllime në dukje fisnike në politika që ngrohin zemrën e Putinit. Duke e përmendur neutralitetin e saj të lavdëruar, Zvicra ka përdorur ligje të fshehta lokale për ta bllokuar furnizimin me armë në Ukrainë, duke përfshirë 96 tanke Leopard të vendosura në Itali që i përkasin një kompanie private zvicerane. Duke shënuar autogola të përsëritur me parimet e lirisë së fjalës, policia në Suedi ka provokuar indinjatë dhe frustrim duke e dhënë dritën jeshile për djegien publike të Kuranit. Jo vetëm që kjo Turqi me shumicë myslimane është jashtëzakonisht e frustruar, e cila ka vendosur veto mbi ofertën e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n. Vetë Putini me plot hare i ofendoi suedezët duke u shfaqur me një video online kur në një udhëtim në Dagestan përpara festës së Bajramit në fund të qershorit, Putini e kishte filmuar veten duke mbajtur me plot delikatesë një Kuran, ndërkohë që shpjegonte se sipas ligjit rus është krim t’i përdhosësh gjërat e shenjta.

Megjithatë, edhe tullat e forta në murin e mundshëm evropian të përkrahjes për Ukrainën mund të shemben. Sllovakia, për shembull, ka qenë një kanal jetik për ndihmën perëndimore dhe kohët e fundit ka premtuar flotën e saj prej 13 avionësh luftarakë të epokës sovjetike Mig-29 për forcën ajrore ukrainase. Mirëpo sondazhet tregojnë se partia e Robert Ficos, një i majtë rusofil, i cili i ka fajësuar “fashistët ukrainas” për provokimin e Putinit, duket se do t’i fitojë zgjedhjet kombëtare të planifikuara për muajin shtator.

Franca është një element kyç i NATO-s dhe BE-së. Mirëpo një panel parlamentar francez kohët e fundit qortoi Marine Le Pen, sfiduesen më të afërt të Presidentit Emmanuel Macron në zgjedhjet e vitit të kaluar, për propagandën ruse pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Le Pen mohon ashpër se mbrojtja e saj ndaj Putinit kishte ndonjë lidhje me 9 milionë euro kredi që partia e saj mori atë vit nga bankat e kontrolluara nga Rusia. Ajo e ka dënuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë, mirëo tetorin e kaluar, shtatë muaj pas luftës, Le Pen deklaroi se sanksionet ndaj Rusisë nuk po funksionojnë.

Në Itali, megjithëse kryeministrja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, është një përkrahëse e fortë e Ukrainës, Matteo Salvini, i cili e udhëheqë partinë e dytë më të madhe në koalicionin e saj, është një tjetër kundërshtar i sanksioneve dhe, të paktën deri sa nuk ndodhi pushtimi rus në Ukrainë, ishte një tifoz i deklaruar i Putinit.

Gjermania, ashtu si Franca, duket një shtyllë e fortë. Megjithatë, AFD-ja, e përshkruar troç nga kreu i agjencisë së brendshme të inteligjencës së vendit si një përhapëse e narrativave ruse, ka shënuar rritje në sondazhet e synimit të votuesve. Tani është në një rezultat të barabartë për vendin e dytë me socialdemokratët në pushtet. Në polin e kundërt politik, Sahra Wagenknecht, një e majtë telegjenike dhe paqësore, thotë se anketuesit i thonë asaj se ajo mund të fitojë 19-30% të votave në nivel kombëtar. Megjithëse mbështetja e publikut për ta ndihmuar Ukrainën mbetet e fortë, kjo tendencë po shënon rënie.

Narrativat e Idiotëve të Dobishëm janë çuditërisht elastike. Pikat e tyre kryesore – që NATO “provokoi” sulmet e përsëritura të Rusisë dhe pushtimin eventual të Ukrainës, se Ukraina është një entitet artificial i ngulitur në tokë që është me të drejtë e Rusisë dhe se Amerika me shumë qejf derdh naftë mbi këtë zjarr për të shitur armë dhe për ta mbështetur hegjemoninë e saj globale. – jehonë në mënyra të ndryshme. Njëra është ajo që italianët e quajnë benaltrismo: NATO sulmoi Serbinë në vitin 1999 dhe Libinë në vitin 2011, plus Amerika pushtoi Irakun dhe Afganistanin, andaj nuk bëhet hataja nëse Rusia sillet keq? Një varietet tjetër është dietrismo, nocioni se duhet të ketë një histori “të brendshme” pas ngjarjeve: shkrimi në New Left Review nga Wolfgang Streeck, një sociolog gjerman, parashtron se qëllimi i fshehur i krizës është ta krijojë skenën për vendosjen e një BE të frikshme nën gishtin e madh të një NATO-je të pompuar.

Ajo që duket se e lidh opozitën ekstreme të djathtë, ekstreme të majtë dhe “intelektuale” të Evropës me politikën perëndimore është diçka më e thjeshtë, megjithatë. Është një anti-amerikanizëm i zhurmshëm, i stilit të luftës së ftohtë. Chrupalla, i lindur në Gjermaninë Lindore, për shembull, këmbëngul se Amis (e ka fjalën për amerikanët) kanë përfituar nga lufta e Ukrainës duke detyruar Gjermaninë të kalojë nga gazi natyror rus me tubacione në gazin e lëngshëm më të kushtueshëm të dërguar nga Amerika. Mirëpo, ky është një kurth, lë të kuptohet ai sepse energjia e importuar amerikane është shumë më e shtrenjtë, saqë prodhuesit gjermanë do të duhet ta zhvendosin prodhimin në Amerikë. Zonja Wagenknecht, rivalja e tij e majtë, beson se Amerika e detyroi luftën ndaj Rusisë duke u përpjekur ta tërheqë Ukrainën në “sferën e saj të ndikimit”.

Në një tubim politik të kohëve të fundit pranë Berlinit, Olaf Scholz, kancelari i Gjermanisë, e gjeti veten të turpëruar nga një kor paqedashës teksa brohorisnin “Luftënxitës!” Normalisht i sjellshëm, i butë dhe i papërkulur, Z. Scholz ulëriti përsëri në mikrofon se ishte zoti Putin që donte ta shkatërronte dhe pushtonte Ukrainën. “Nëse ju gojëzhurmuesit  do të kishit qoftë edhe pak tru, do ta njihnit luftënxitësin e vërtetë!”/The Economist

Përgatiti: Nuhi Shala