Identifikohen personat që janë parë afër Manastirit të Deçanit, pritet verifikimi nëse kanë kanë lidhje me helmimet

Prokuroria e Pejës ka njoftuar se në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës kanë arritur t’i identifikojnë dy persona që janë parë në disa fotografi ditë më parë duke shkuar në drejtim të Manastirit të Deçanit.

Siç ka njoftuar prokuroria, në ditët në vazhdim do të zbulohet nëse kanë lidhshmëri me helmimet në komunën e Deçanit.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se, lidhur me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit, pasi janë pranuar informata se para disa ditësh janë parë duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit, dy persona të nacionalitetit serb, menjëherë janë ndërmarrë veprime me autorizimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, ashtu që është bërë identifikimi i personave që shihen në ato fotografi dhe do të verifikohet nëse kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit”, thuhet në njoftim.

Mbi 1500 persona në Deçan që nga e shtuna e javës së kaluar kanë kërkuar ndihmë pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare pasi kishin shfaqur disa simptoma të helmimit.

Ndërsa, Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik të Kosovës publikoi të dhëna se në ujin e pijes ishin gjetur disa baktere.

Një roje e pyllit është arrestuar mbrëmë në lidhje me helmimin e qytetarëve në Deçan, i cili dyshohet se ka ndalur kamerat.

Sipas policisë, kamerat janë ndalur së funksionuari që nga 17 maji dhe nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar apo arsye se pse këto kamera janë ndalur.

Siç ka njoftuar mbrëmë prokuroria, i arrestuar është zyrtar i Agjencisë Kosovare të Pyjeve dhe arrestimi i tij lidhet me helmimin e qytetarëve.