I vazhdohet paraburgimi të akuzuarit për dhunimin e viktimës me ngecje në zhvillimin mendor

Gjykata e Ferizajt i ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin e të akuzuarit Xh.D. i cili akuzohet nga Prokuroria e Ferizajt për dhunimin seksual ndaj një viktimë me ngecje në zhvillim mendor.

Sipas prokurorisë, i akuzuari e kishte marrë viktimën me veturë, e kishte dërguar në një motel dhe e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale.

Po ashtu, i akuzuari, sipas Prokurorisë, kishte ushtruar edhe dhunë fizike ndaj viktimës.

Aktakuza ndaj tij është ngritur më 28.05.2024 nga Prokuroria e Ferizajt.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 01 dhe 02 Maj të vitit 2024, saktësisht në motelin “N.N”, i pandehuri Xh.D., me dashje e detyron të dëmtuarën, si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore, të kryej akt seksual dhe për ta bindur që të kryej akt seksual, i pandehuri ndaj saj ushtron edhe dhunë fizike dhe në fund pas dy dite, i pandehuri me të njëjtën veturë që kishte marrë të dëmtuarën e dërgon në të njëjtin vend ku e kishte marrë dhe e lë në rrugë, me çka ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale ‘Dhunimi’ nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.7, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt.

Me këto veprimet ai akuzohet për kryerjen e veprës penale – “dhunim”, dënueshmëria e të cilës sipas këtij kualifikimi është minimumi 5 vjet, kurse maksimumi është 15 vjet.

“Kur vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet në një ose më shumë nga rrethanat në vijim, kryesi dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet: 4.7. kryesi e di që personi është posaçërisht i ndjeshëm për shkak të moshës, aftësive të kufizuara mendore apo fizike, çrregullimit apo paaftësisë fizike apo mendore, ose shtatzënisë…” – përshkruhet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Viktima ishte raportuar e zhdukur nga familjarët e saj ditë më parë, njoftonte Prokuroria.

E njëjta ishte dërguar fillimisht në Urgjencën e Kaçanikut dhe i është dhënë ndihma mjekësore, më pas e njëjta është dërguar për ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Masa e vazhdimit të paraburgimit është vendosur nga gjyqtari Habib Zeqiri, kurse seanca ndaj tij nuk është caktuar ende.

Pas arrestimit, ndaj të tij ishte caktuar masa e paraburgimit më 03.05.2024 nga Gjykata e Ferizajt, masë e kërkuar nga Prokuroria e Ferizajt.