Rasti i zjarrvënies në Gjykatën e Kaçanikut, njëri nga të akuzuarit pritet të dalë para gjykatës
Rasti i zjarrëvënies në Gjykatën e Kaçanikut që ndodhi më 13.03.2024, është kualifikuar nga Prokuroria Speciale si rrezikim i rendit kushtetues përmes dëmtimit apo shkatërrimit të instalimeve /pajisjeve publike, e për këtë sot më 11.06.2024 para Gjykatës së Prishtinës pritet të dalë Elmedin Raka, i akuzuar për këtë vepër penale.
Gjykimi do të mbahet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës dhe pritet të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar.
Në dy zyre të Gjykatës së Kaçanikut, në dosjen e prokurorisë përshkruhet se ishin hedhur nga dy shishe me lëndë djegëse kurse në hymje të zyreve ishin vendosur nga një shishe, me ç’rast ishin shkatërruar zyret dhe koridori i gjykatës.
Rasti ka ndodhur rreth orës 03:42, sipas prokurorisë me dashje dhe me marrëveshjen paraprake të të akuzuarit me tre persona tjerë të mitur me inicialet T. B., M.R. dhe V.T.
Përveç të akuzuarit Raka, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamentit për të Mitur, shqiptimin e dënimit me burgim edhe ndaj të miturve.
Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, procedura penale ndaj të miturve është nën kompetencën territoriale të gjykatës ku të miturit e kanë vendbanimin.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kishin dalë ekipet e zjarrfikësve, të cilët rreth orës 04:40 e kishin lokalizuar dhe shuar zjarrin.
Ky rast fillimisht ishte hetuar si zjarrvënie nga Prokuroria e Ferizajt, kurse pas shqyrtimit dhe vlerësimit të provave, rasti ka kaluar përmes kompetencës lëndore në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Kjo prokurori ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve në drejtim të vepres penale të rrezikimit të rendit kushtetues më datë 27.03.2024.
Vepra penale për të cilët ngarkohen këta persona penale hyn në kuadrin e veprave penale kundër sigurisë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Si i kishin ndërmarrë veprimet të akuzuarit?
Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO, i akuzuari Elmedin Raka dhe i mituri T.B. të maskuar e kishin hapur me forcë derën e shkallëve emergjente dhe kishin hyrë në katin e dytë të objektit ku përmës llozit (*hekur i trashë e i gjatë për të mbyllur derën nga brenda) i kishin hapur dy zyre të gjyqtarëve dhe në secilën zyre i kishin vendosur dy shishe me lëndë djegëse.
Dy të miturit tjerë me inicialet M.R. dhe V.T, gjatë kësaj kohe, sipas Prokurorisë kanë bërë roje rreth Gjykatës kurse pastaj kanë ikur së bashku nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria në aktakuzën e saj, ka përshkruar se pas shqyrtimit të provave materiale, në veçanti pas ekzaminimit të telefonit të akuzuarit Reka, ka rezultuar se i njejti ka elemente ideologjike radikale – vehabiste përmes të cilave shpreh urrejtje dhe mos-njohje të institucioneve shtetërore – respektivisht Gjykatës në Kaçanik.
Tutje, në këtë dosje, përshkruhet se i njejti i kishte fshirë të gjitha komunikimet dhe regjistrimet e thirrjeve të ditës kritike, e kjo sipas prokurorisë krijon dyshimin e bazuar se i akuzuari i ka asgjësuar ato me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale.
Të akuzuarit gjenden nën masën e paraburgimit nga data 15.03.2024, e këtë masë e ka kërkuar të vazhdohet Prokuroria Speciale me rastin e ngritjes së aktakuzës.
Prokuroria Speciale më 07.06.2024 kishte njoftuar se ka ngritur një aktakuzë ndaj një personi me inicialet E.R. për shkak të veprës penale të rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimi të instalimeve dhe pajisjeve publike.
Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte njoftuar më 15.03.2024 se tre të miturit po dyshohen se ishin autorët e vënies së zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, Dega në Kaçanik. Ndërsa pak më vonë ishte arrestuar edhe i akuzuari Raka.
KALLXO.com kishte mësuar se gjyqtarët zyrat e të cilëve u dogjën nga zjarri, merren me çështje penale.