Aktakuzë ndaj personit që dyshohet për dhunim të viktimës me ngecje në zhvillim mendor
Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet Xh.D. nga fshati Dubravë i Ferizajt, i cili dyshohet për dhunim seksual ndaj një viktimë me ngecje në zhvillim mendor.
Sipas prokurorisë, i pandehuri e kishte marrë viktimën me veturë, e kishte dërguar në një motel dhe e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale. Po ashtu, i dyshuari, sipas Prokurorisë, kishte ushtruar edhe dhunë fizike ndaj viktimës.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 01 dhe 02 Maj të vitit 2024, saktësisht në motelin “N.N”, i pandehuri Xh.D., me dashje e detyron të dëmtuarën- si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore, të kryej akt seksual dhe për ta bindur që të kryej akt seksual, i pandehuri ndaj saj ushtron edhe dhunë fizike dhe në fund pas dy dite, i pandehuri me të njëjtën veturë që kishte marr të dëmtuarën e dërgon në të njëjtin vend ku e kishte marrë dhe e lë në rrugë, me çka ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale ‘Dhunimi’ nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.7 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhej në njoftimin e datës 03.05.2024, të Prokurorisë së Ferizajt.
Me këto veprimet ai akuzohet për kryerjen e veprës penale – dhunim, dënueshmëria e të cilës sipas këtij kualifikimi është minimumi 5 vjet, kurse maksimumi është 15 vjet.
“Kur vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet në një ose më shumë nga rrethanat në vijim, kryesi dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet: 4.7. kryesi e di që personi është posaçërisht i ndjeshëm për shkak të moshës, aftësive të kufizuara mendore apo fizike, çrregullimit apo paaftësisë fizike apo mendore, ose shtatzënisë..” – përshkruhet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Viktima ishte raportuar e zhdukur nga familjarët e saj ditë më parë, njoftonte Prokuroria.
E njëjta ishte dërguar fillimisht në Urgjencën e Kaçanikut dhe i është dhënë ndihma mjekësore, më pas e njëjta është dërguar për ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Ndaj të dyshuarit ishte caktuar masa e paraburgimit më 03.05.2024 nga Gjykata e Ferizajt, masë e kërkuar nga Prokuroria e Ferizajt.
Shënim: Ky artikull është edituar në titull dhe në hyrje të tekstit, me ç’rast është saktësuar vepra penale për të cilën dyshohet i pandehuri. Koha e editimit: 28.05.2024, ora 19:50.