UK in Kosovo/Twitter

I dërguari i Britanisë së Madhe viziton ushtarët në Bondsteel

I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach gjatë ditës ka vizituar ushtarët e ardhur së fundi në kampin Bondsteel.

Në një njoftim të ambasadës së Britanisë bëhet e ditur se Peach i përgëzoi ata për kontributin e tyre në mandatin e KFOR-it për ruajtje të paqes dhe sigurisë.

“Në fund të vizitës së tij në Kosovë Lord Peach bëri një vizitë tek Ushtarët e Britanisë së Madhe në Kampin Bondsteel. Lord Peach i përgëzoi për zbarkimin e tyre të shpejtë dhe profesional dhe i falënderoi për kontributin e tyre në mandatin e KFOR-it për të mbajtur paqe dhe një mjedis të sigurt”- thuhet në njoftim.

Stuart Peach gjatë vizitës së tij është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situatën e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë, dhe dislokimin përgjatë kufirit të sistemit kundërajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Europë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3.

Britania e Madhe dërgoi trupa shtesë në Kosovë pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.