I akuzuari për tentim vrasje nuk ka avokat, shtyhet seanca

Driton Orllati i akuzuar se tentoi ta vrasë Bashkim Elshanin në fshatin Brestovc të Rahovecit nuk mundi të përballet me këtë akuzë sot në gjykatë.

Orllati nuk kishte avokat, ndërsa mbrojtja ligjore për të akuzuarin në këtë rast është e obliguar. Kështu, gjykata vendosi që seancën ta shtyjë për datën 20 shkurt.

I dëmtuari Bashkim Elshani edhe pse gjendet në vuajtje të një dënimi në burgun e Dyzit në Gërdavc, sot ishte sjellë i prangosur nga burgu.

Fillimisht në këtë rast edhe  Bashkim Elshani kishte qenë i akuzuar, mirëpo gjykata e Gjakovës e kishte liruar nga akuza për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa Driton Orllati, ishte shpallur fajtor me dënim me burgim prej 3 vjet 4 muaj e 10 ditë, duke i’u llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Më pas, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës, në vitin 2012, Bashkim Elshani pas një fjalosjeje me të dëmtuarin Agron Orllati, tenton ta privojë nga jeta dhe gjuan me armë zjarri në drejtim të tij, duke e goditur në anën e majtë të kraharorit me pasoja të rënda trupore dhe rrezikshmëri për jetën.

Aktakuza shpjegon se më pas i akuzuari Driton Orllati duke qenë pjese e fjalosjes dhe pas plagosjes së vëllait të tij Agron Orllati, me armë zjarri e godet Bashkim Elshanin në buzën e sipërme e po ashtu e gjuan me një mjet mekanik dhe i shkakton lëndime të rënda në pjesën e pasme të kokës.