Katër muaj pas nënshkrimit hyn në fuqi marrëveshja e pavarësimit energjetik të Kosovës

Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu-KOSTT ka njoftuar se ka hyrë në fuqi marrëveshja e re e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E, katër muaj pas nënshkrimit.

Kjo marrëveshje u nënshkrua me 30 qershor ndërsa sot ka hyrë në fuqi pasi ENTSO-E ka vlerësuar që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operoj e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.

Sot, me 29.09.2020, nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-E, u vendos që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar me 30.06.2020 në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, hyn në fuqi.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Ilir Shala, ka falënderuar të gjithë që e kanë bërë të mundshme arritjen e kësaj marrëveshje.

“Jam krenar me punën ekipore dhe profesionale të bërë nga Grupi Punues i KOSTT si dhe falënderoj të gjitha kompanitë homologe të Evropës Kontinentale për përkrahjen e në veçanti Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë OST sh.a si dhe institucionet shtetërore dhe ato ndërkombëtare si: Amabasadën Amerikane në Prishtinë, USAID, Ambasadën Gjermane në Prishtine, KfË dhe miqtë tjerë ndërkombëtar”, ka deklaruar Shala.

Për hyrjen në fuqi të marrëveshjes ka reaguar edhe ministrja e Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj- Stublla.

Ajo ka përshëndetur votimin e suksesshëm në takimin e sotëm midis RGCE – ENTSO-E, i cili jetëson pavarësimin energjetik të Republikës së Kosovës.

“Sukses i plotë, u jetësua pavarësimi energjetik të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë operatorët nga shtetet mike, por edhe nga ato që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që votuan dhe na përkrahen në kuadër të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale, që nga sot marrëveshja të hyjë në fuqi”, tha Haradinaj- Stublla.