Hoxhaj lavdëron Edi Ramën, kritikon qeverinë e Kosovës për vaksinat anti-COVID

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, nëpërmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka falënderuar Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama për mundësimin e vaksinimit kundër Covid19 të personelit shëndetësor kosovar.

Ai tha se Qeveria e Kosovës përveç që dështoi në menaxhimin e pandemisë, dështon edhe në sigurimin e vaksinës.

“Një gjest jashtëzakonisht human dhe që duhet përgëzuar i kryeministrit Edi Rama për të vaksinuar mjekët e Kosovës gjatë ditës së sotme në Kukës. Edhe njëherë u dëshmua në vepër solidariteti vëllazëror në një situatë të rënduar me pandeminë dhe veçmas për mantelbardhët që janë në vijën e parë të betejës me këtë sëmundje. Fatkeqësisht qeveria e Kosovës dështoi jo vetëm në menaxhimin e pandemisë por edhe në sigurimin e vaksinës. Të paktën, një falendërim publik për Shqipërinë dhe kryeministrin Rama nuk do të ishte i tepërt”, ka shkruar Hoxhaj.

Në postimin e tij, ai ka bashkëngjitur edhe fotografi nga ngjarja e sotme e vaksinimit të personelit shëndetësor kosovar në qytetin e Kukësit në Shqipëri.