Hovenier reagon pas futjes së Nexhat Krasniqit në listën e të sanksionuarve nga SHBA

Nexhat Krasniqi, shef i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, ka hyrë në listën e të sanksionuarve të Departamentit amerikan të Shtetit.

Krasniqit dhe dhe dy fëmijëve të tij u është ndaluar hyrja në territorin amerikan.

Sipas njoftimit, sanksionimi i Krasniqit është “për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”, ndërlidhur me rastin e Parkut Industrial në Drenas.

Lidhur me këtë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka reaguar në rrjetin social X, duke thënë se kjo rikonfirmon seriozitetin me të cilin Shtetet e Bashkuara i trajtojnë çështjet e korrupsionit. 

“Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien dhe për të penguar sjelljen e ardhshme kriminale duke mbështetur institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit” – tha thënë Hovenier. 

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës për sanksionimin e Nexhat Krasniqit nga Shtetet e Bashkuara.

Krasniqi, si zyrtar përgjegjës i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, jo më larg se më 24 tetor 2023 ka nënshkruar kontratën “Pastrimi i veturave” të Ministrisë.

Në njoftimin për kontratë të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi figuron si pikë kontakti për këtë tender.

Por kush është Nexhat Krasniqi?

Nexhat Krasniqi, siç ka konfirmuar kryetari i Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Osman Vishaj, është aktualisht zyrtar përgjegjës i prokurimit në Ministrinë e udhëhequr nga Liburn Aliu.

Nga viti 2015 ai ka nisur të përballet me ligjin. Asokohe, ishte zyrtar i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Rasti kishte të bënte me realizimin e Parkut Industrial në Drenas, ku Krasniqi akuzohej se në cilësinë e zyrtarit kishte pranuar ryshfet nga kompania “Eltoni” lidhur me dhënien e lejes së ndërtimit.

Lidhur me këto akuza, Nexhat Krasniqit i ishte shqiptuar dënim prej 26 muaj burgim më 21 shtator të vitit 2015 për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Për të ardhur deri te ky aktgjykim, në Gjykatën Themelore të Prishtinës lidhur me këtë rast ishin mbajtur 22 seanca gjyqësore.

Aktakuza ishte ngritur më 5 nëntor të vitit 2015 për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim.

Ndaj dënimit të themelores prej 26 muajsh burgim, Nexhat Krasniqi i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit, e cila e kishte ndryshuar edhe lartësinë e dënimit edhe cilësimin juridik të veprës penale.

Apeli më 2 maj të vitit 2016 ia zvogëloi dënimi Krasniqit në 18 muaj burgim me kusht për veprën penale – keqërdorim i detyrës zyrtare.

Avokati i Krasniqit, Florent Latifaj, ka thënë për Kallxo.com se për rastin në fjalë ka arritur afati për rehabilitimin gjyqësor dhe është i fshirë nga evidenca.

Trupi gjykues që mori këtë aktgjykim kishte qenë i përbërë  nga gjyqtari i EULEX-it Radostin Petrov në cilësinë e kryetarit dhe gjyqtarit raportues, pastaj gjyqtarja e EULEX-it Hajnalka Veronika Karpati dhe gjyqtari kosovar i Gjykatës së Apelit, Driton Muharremi, në cilësinë e anëtarëve të kolegjit.

Edhe me këtë aktgjykim Nexhat Krasniqi nuk kishte qenë i kënaqur duke iu drejtuar Supremes me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Në shkurt të vitit 2017 Supremja ia refuzoi kërkesën.

Gjykata Supreme kishte konstatuar se aktgjykimet e mëparshme (të Themelores dhe Apelit) nuk kishin qenë me shkelje të dispozitave procedurale siçc kishte pretenduar paraqitësi i kërkesës, Nexhat Krasniqi.

Ky rast ka marrë përgjigje deri në Gjykatën Kushtetuese.

Në shkurt të vitit 2018 kjo Gjykatë vlerësoi se Nexhat Krasniqi kishte bërë kërkesë të papranueshme.