Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, Foto: KALLXO.com

Hovenier: Jemi të shqetësuar që Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pozitivisht ndaj kërkesave tona

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një intervistë dhënë për Klan Kosova ka deklaruar se janë të shqetësuar që Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pozitivisht ndaj kërkesave për ndërmarrjen e disa veprime specifike për të ndihmuar në zbutjen e situatës në veri, kërkesa që kanë ardhur jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe nga të tjerët.

Ai në një intervistë në Klan Kosova është pyetur lidhur me letrën që tetë senatorëve amerikanë ia nisën presidentit Joe Biden, në të cilën kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën në veri të Kosovës.

Hovenier ka thënë se letra në fjalë do të duhej të jetë shkak për shqetësim për të gjithë dhe mendon se i pasqyron jo vetëm pikëpamjet e senatorëve, por edhe të një numri të zyrtarëve amerikanë, përfshirë edhe brenda administratës së Biden.

“Jemi të shqetësuar. Jemi partneri më i ngushtë i Kosovës dhe përkushtimi i popullit amerikan ndaj vetë Kosovës dhe popullit të Kosovës mbetet po aq i qëndrueshëm si gjithmonë” – tha ambasadori Hovenier.

Ambasadori Hovenier gjatë kohës sa fliste për situatën në veri e për marrëdhëniet që ka SHBA me Qeverinë e Kosovës, përmendi edhe disa nga takimet e bisedat që kryeministri Albin Kurti pati gjatë kësaj jave.

“Prej të hënës, kryeministri Kurti është takuar me Sekretarin Britanik për Punë të Jashtme, ka biseduar me Sekretarin e Shtetit Blinken, ka biseduar me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka pasur deklarata publike nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, pra në thelb, konfigurimi i institucioneve në të cilat Kosova synon të anëtarësohet dhe që ne do ta mbështesim me gjithë zemër dhe miqtë e Kosovës” – tha Hovenier.

Ai këto biseda që ndodhën vetëm gjatë kësaj jave, i përshkruan si gjëra mjaft të jashtëzakonshme.

Hovenier u pyet edhe për mysafirët që u ftuan për festimin e 4 korrikut, e ai tha se ndonëse në mes dy qeverive, asaj të Kosovës e të ShBA-së ka disa dallime, kjo nuk i ndalon që të mos festojnë së bashku.

“Qeveria e SHBA-së dhe qeveria aktuale e Kosovës i kanë disa dallime dhe nuk do të duhej t’i zvogëloj apo t’i injoroj ato, por kjo nuk do të thotë që nuk i kemi të njëjtat objektiva strategjikë dhe nuk do të thotë që nuk mund të bëhemi bashkë për të festuar përvjetorin e 247-të të nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, gjë që do ta bëjmë me kënaqësi” – tha Hovenier.

Që nga 26 maji, qytetarët serbë në veri të vendit janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të plagosur dhe lënduar. Po ashtu u raportua edhe për dhjetëra protestues të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me lëndime trupore përfunduan edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët që nga fillimi i protestave janë sulmuar disa herë gjatë raportimeve të tyre nga kjo zonë.

Thirrje për shtensionim të situatës kishte që nga fillimi e vazhdon të ketë ende, madje situata në veri bëri që ShBA-të të vendosin sanksione ndaj Kosovës, duke e larguar këtë vend edhe nga ushtrimi ushtarak Defender Europe 2023.