Hoti: Vendimi për hapjen e shkollave do të ndikohet nga gjendja epidemiologjike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar lidhur me mënyrën e organizmit të vitit të ri shkollor.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se IKSHP dhe Ministria e Arsimit janë duke e përgatitur udhëzuesin  për vitin e ri shkollor.

E gjitha kjo sipas Hotit do ndikohet edhe nga situata epidemiologjike.

“Në përputhje me vendimin e Qeverisë të datës 28 korrik 2020, MASH dhe IKSHP po përgatisin udhëzuesin për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor nga 1 shtatori. Po studiohen përvojat e vendeve të tjera. Sigurisht se vendimi final për hapjen e shkollave do të ndikohet nga gjendja epidemiologjike,” është shprehur Hoti.

Ai tutje ka shtuar se në vendimmarrje do përfshihen të gjitha komunat të cilat do kenë përgjegjësi në zbatim të udhëzimeve.

“Në procesin e vendimmarrjes do të përfshihen plotësisht komunat, të cilat do të kenë përgjegjësi që të zbatojnë udhëzimet. Gjatë javës që vjen, do të jemi në kontakt me kryetarët e komunave dhe drejtorët për arsim për të diskutuar modalitetet e mundshme të fillimit të vitit shkollor,” ka shtuar tutje Hoti.

Hoti gjithashtu ka theksuar se janë duke shqyrtuar edhe platformat e ndryshme të ndihmesës për stafin mësimdhënës dhe nxënësit, në organizimin më të mirë të punës praktike në arsimin e mesëm profesional.