Hoti: Me organizu një kuiz – Kush po ia qëllon një projekt madhor që është realizu për 3 vite?

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se në tri vite qeverisje të kryeministrit Albin Kurti nuk është realizuar asnjë projekt madhor.

Ai ka thënë se nëse organizohet një kuiz me këtë pyetje, qytetarët e Kosovës nuk e dinë sepse nuk ka ndonjë projekt të tillë.

“Me organizu një kuiz edhe me ju thanë njerëzve – Hajt kush po ia qëllon një projekt madhor që është realizu për 3 vite? Nuk ia qëllojnë njerëzit. Nuk dijnë. Hutohen. E këqyrin njëri-tjetrin se s’mundesh me emëru një projekt madhor që është realizu në 3 vite”- është shprehur Hoti.

Ndërsa tutje gjatë fjalimit në seancë ai ka thënë ka një tendencë nga kryeministri dhe ministrat për ‘dredhim’ të shifrave.

Ai ka kritikuar Kurtin lidhur me shifrat e prezantuara për GDP-në.

“Ka një tendencë, kryeministri dhe ministrat t’i dredhojnë pak shifrat. Por shifrat janë kokë-forta. Nuk mundësh me krahasu vitin 2023 me 2020. Me thanë kaq ka qenë GDP në vitin 2020, e kaq në vitin 2023. 2020 ka qenë pandemia, krejt vendet kanë ra në minus 30, minus 40%. Krahasoje trendin e zakonshëm të viteve  2017, 2018 dhe 2019 dhe shihe si ka mbërrijë GDP. Dhe shtoja inflacionin që ka ndodhë gjatë kalimit të viteve dhe vjen te kjo vlerë që e ke bë”- tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në Kuvend tha se për katër vite, bruto produkti është rritur pothuajse 50 %.

“Ekonomisë gjatë kësaj qeverisje ia kemi shtuar mbi 1 miliard për çdo vit. Në vitin 2020 BPV ka qene 6.77 miliardë. Në vitin e ardhshëm është mbi 10 miliardë. A e dini çfarë do të thotë që BPV të rritet për gati 50% për vetëm katër vjet. Është shumë vështirë të gjeni në histori e në botë shembuj të tjerë ku BPV rritet për gati 50 % për vetëm 4 vjet”- ka thënë ai.