Hofreiter: Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së nëse vazhdon në rrugën që është aktualisht

Deputeti gjerman, Anton Hofreiter, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për anëtarësim e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Hofreiter ka thënë se Serbia nuk ka marrë çfarë ka dashur pasi që është pozicionuar në drejtim të gabuar.

“Nëse ata qëndrojnë në këtë drejtim ata kurrë nuk do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe mendoj se në fund të fundit, është edhe në interes të Serbisë që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”- ka thënë ai.

Deputeti gjerman ka thënë se i përcjellin nga afër problemet e Serbisë.

“Ne duam që të gjitha 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian dhe ne duam që ta kemi Kosovën si vend anëtar të NATO-s, dhe për ne kjo është shumë e qartë, por kemi akoma probleme. Nëse e analizoni, jo të gjitha vendet e BE-së e kanë njohur Kosovën deri më tani, Greqia, Spanja e Rumania akoma nuk e kanë njohur Kosovën dhe siç e kam sqaruar edhe në takimet tjera ne duhet të punojmë më fort që t’u tregojmë atyre se tani është koha që ta njohin Kosovën”- ka thënë Hofreiter.

Anton Hofreiter është deputet i Partisë së Gjelbër në Parlamentin e Gjermanisë.