Hetohet zjarri vdekjeprurës në diskotekë - Maqedonia arreston disa zyrtarë

Policia e ka ftuar për intervistë ish-ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka raportuar MIA, agjencia shtetërore e lajmeve. Bekteshi nuk i është përgjigjur kërkesës për komentim. Zyrtarët kanë arrestuar edhe një ish-zyrtar nga kjo ministri, si dhe zyrtarë të tjerë në agjencitë e tjera qeveritare

Përderisa familjet e viktimave janë në zi për humbjen e më të dashurve të tyre dhe po qëndrojnë në ankth për ndonjë lajm te spitalet, autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë thënë të hënën më 17.03.2025 se po hetojnë për keqpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare në rastin e zjarrit të tmerrshëm që ua mori jetën 59 personave në një diskotekë në fundjavë, raporton “The New York Times”.

Zyrtarët kanë thënë se “Pulse”, klubi i natës ku shpërtheu zjarri të dielën në orët e hershme të mëngjesit, po operonte me një leje të lëshuar ilegalisht dhe se nuk kishte dalje alternative në rast emergjencash. Pullazi i objektit u mbërthye nga flakët e zjarrit gjatë shkrepjes së fishekzjarrëve në një koncert, kanë thënë zyrtarët. Së paku 155 persona janë lënduar në zjarrin e tmerrshëm që u shpërnda shpejt e shpejt në krejt sallën.

Leja e paligjshme e punës

“Nuk do të kem mëshirë”, është zotuar kryeministri Hristijan Mickoski, të dielën, duke shtuar: “Nuk ka asnjë person më Maqedoni të cilit nuk i është thyer zemra dhe që nuk i është këputur shpirti pas kësaj”.

Mickoski, i cili erdhi në pushtet në qershor, ka thënë se diskoteka, e cila ndodhej në Koçan, nja 100 kilometra larg Shkupit, kishte leje që i ishte lëshuar “me ryshfet”. Ai ka thënë se dokumenti mbante vulën e Ministrisë së Ekonomisë dhe nënshkrimet e ish-zyrtarëve, dhe se ishte lëshuar “ilegalisht”.

“Ky ishte kulmi i një sistemi të keq, neglizhues”, ka deklaruar Mickoski, duke përshkruar përpjekjen e Maqedonisë së Veriut për ta çrrënjosur korrupsionin, për të cilin Komisioni Europian e ka përshkruar në raportin e vitit 2024 si “shqetësim serioz” për vendin.

Objekti ku ishte vendosur diskoteka “Pulse” ishte regjistruar si uzinë industriale – jo si arenë për argëtim – por e kishte marrë lejen e funksionimit prej Ministrisë së Ekonomisë, ka bërë të ditur prokurori publik, Lupço Koçevski.

Policia e ka ftuar për intervistë ish-ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka raportuar MIA, agjencia shtetërore e lajmeve. Bekteshi nuk i është përgjigjur kërkesës për komentim. Zyrtarët kanë arrestuar edhe një ish-zyrtar nga kjo ministri, si dhe zyrtarë të tjerë në agjencitë e tjera qeveritare.

Dorëheqja e kryetarit

Lupço Papazov, kryetari i Koçanit, ka dhënë dorëheqje të hënën. “Tronditja dhe thyerja që përjetoj do të zgjasin gjatë gjithë jetës time”, ka shkruar ai në Facebook.

Disa prindërë, të cilët kanë humbur fëmijët e tyre në zjarrin e ferrshëm kanë shprehur zemërim të madh ndaj Papazovit, i cili dje nuk është treguar i zëshëm. “Pse kryetari nuk është këtu?” – ka ka pyetur Dragi Stojanov, fëmija i vetëm i së cilit vdiq në zjarr, në një video-xhirim ndarë me agjencinë amerikane të lajmeve, AP.

Në një mesazh direkt në internet, tashmë ish-kryetari Papazov ka thënë se ka qenë i zënë duke u marrë me koordinimin e ndihmës pas tragjedisë, dhe se ka dhënë dorëheqje për “arsye të paspecifikuara morale”.

Stojanov ka thënë se nuk kishte asnjë arsye që të jetonte pas vdekjes së të birit të tij 21 vjeç. “Humba gjithçka”, ka thënë ai. I biri i tij ishte njëri prej shumë të rinjve që kishte shkuar në diskotekë në koncertin e DNK-së, grupit të famshëm të Maqedonisë së Veriut.

Shkaku i zjarrit

Dhe derisa grupi po përformonte, u ndezët fishekzjarrët, shihet në video. Shkëndijat, kanë thënë zyrtarët, ishin përdorur ilegalisht dhe duket se kishin shkaktuar zjarrin. “Mjetet piroteknike të përdorura në klub ishin sjellë prej vendit|, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski.

“Fatkeqësisht”, ka thënë ai, “personi që ishte përgjegjës për menaxhimin e tyre ka ndërruar jetë”.

Njëri prej anëtarëve të DNK-së ka vdekur, sikur ka ndodhur edhe me artistë të tjerë që kënduan atë natë, ka thënë Biljana Arsovska, zëdhënëse e prokurorisë publike. Ajo ka thënë se zyrtarët ende nuk e kanë përfunduar punën për identifikimin e viktimave.

“Ndjej sikur dikush më goditi me një shkop bejsbolli prej alumini”, ka theksuar në një intervistë Tijana Dapçeviq, këngëtare maqedonase që njihte disa nga viktimat.

Ajo ka theksuar se shoqja e saj, Sara Projkovska, ka vdekur nga zjarri. Projkovska ishte profesoreshë në Universitetin Kirili dhe Metodi në Shkup, e cila njoftoi vdekjen e saj në një postim në Facebook me foton e saj, duke buzëqeshur.

Të hënën pasdite, mijëra njerëz u mblodhën në Shkup në universitet, për nder të viktimave të zjarrit, treguan pamjet e lajmeve. Shumë qytetarë u mblodhën gjithashtu që të protestonin në Koçan, tregojnë pamjet e mediumeve informative.

Fotot e viktimave tashmë kishin filluar të shfaqen në mediat sociale maqedonase, si një ditar i njerëzve, jeta e të cilëve u këput mes flakëve dhe tymit.

Njëri prej tyre ishte Petar Ivanovski, një i ri me vetulla të trasha dhe buzëqeshje, universiteti i të cilit e konfirmoi vdekjen e tij në një postim në Facebook.

Një tjetër, Andrej Lazarov, 25 vjeç, ishte futbollist profesionist. Ai u kujtua nga ekipi i tij, F.C. Shkupi, në një foto në Facebook ku shihet duke luajtur.

“Shumë fëmijë kanë vuajtur”, ka deklaruar Simeon Sokolov, vajza e të cilit ishte në respirator shkaku i tymit, për kanalin televiziv serb N1 të dielën mbrëma.

“Mjekët po bëjnë gjithçka që munden”, ka shtuar Sokolov, “por ka shumë të lënduar”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com