
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Moslejimi i pjesëmarrjes së Thaçit në varrimin e babait, ministrja Haxhiu: Do t’i drejtohem Speciales
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale, e cila, sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), ka refuzuar lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
Ajo ketë vendim e ka quajtur të padrejtë.
Ndërsa ka thënë se për ketë çështje do t’i drejtohet kryetares së Dhomave të Specializuara.
“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës. Lidhur me këtë vendim të padrejtë do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara”- ka thënë ajo.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka shprehur indinjatën ndaj vendimit të Gjykatës Speciale, e cila, sipas saj, ka refuzuar lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
OVL UÇK këtë vendim e ka quajtur të padrejtë, johuman dhe të papranueshëm.
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Thaçi ka vdekur të dielën në mbrëmje, më 16.03.2025.
Hashim Thaçi e vizitoi babanë e tij të sëmurë më 13.03.2025.
Pasi kishte përfunduar vizitën te babai i tij, Hashim Thaçi ishte kthyer në Hagë, ku po gjykohet për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, bashkë me ish-eprorët e tjerë të UÇK-së: Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.