Dhjetë të vdekur nga zjarri në hotelin turk të skijimit

Një zjarr në një hotel në rezortin turk të skijimit “Bolu” ka lënë të vdekur së paku dhjetë persona dhe 32 të tjerë janë lënduar – ka bërë të ditur ministri i Brendshëm turk, Ali, Yerlikaya raporton të martën, më 21.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

Së paku dy prej viktimave vdiqën, pasi u hodhën nga dritaret e hotelit – bëjnë të ditur mediat turke.

Zjarri ka shpërthyer në orën 03:27, në hotelin 12-katësh “Grant Kartal”, gjatë një periudhe të ngarkuar pushimesh në kohën kur në bujtinë ndodheshin 234 persona – ka shtuar ai.

Pamjet që kanë qarkulluar në Turqi tregojnë çarçafë të varur për kornizat e dritareve, që tregon se njerëzit ishin munduar të shpëtonin prej zjarrit që kishte përfshirë ndërtesën.

Guvernatori i Bolut, Abdulaziz Aydin ka thënë se raportet e para sugjerojnë se zjarri kishte shpërthyer prej pjesës së restorantit, që ndodhej në katin e katërt dhe se ishte përhapur në katet e sipërme.

Hoteli po hetonte nëse mysafirët ishin ngujuar në dhoma, derisa zjarri kishte përfshirë pjesë të tjera.

Guvernatori ka thënë para gazetarëve se distanca ndërmjet hotelit në Kartalkaya dhe qendrës së Bolut, bashkë me temperaturat e acarta, kanë vështirësuar edhe më shumë arritjen e zjarrfikësve që janë vonuar më shumë se një orë.

Përpjekjet e shpëtimit kanë vazhduar edhe në mëngjes dhe ministri i Brendshëm ka thënë se shërbimet emergjente kanë dërguar 267 persona për t’iu përgjigjur situatës.

Edhe në mëngjes ka pasur ende përpjekje për të arritur në pjesë të caktuara të hotelit të djegur.

Malet Bolu janë të njohura për skijatorët nga Stambolli dhe kryeqyteti Ankara dhe hoteli po operonte me numër të lartë vizitorësh, për shkak se porsa kishte nisur pushimi dimëror dyjavor i shkollave.

Qyteza veriperëndimore ndodhet 170 kilometra larg kryeqytetit Ankara. Ende nuk dihet zyrtarisht se cilat ishin shkaqet e zjarrit.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com